Joan Muçllari është i riu i cili mbeti i plagosur pas një atentati të ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Pogradecit.
Ai është djali i pronarit të Hotel Voloreka, Jetmir Muçllari.
I plagosuri ka shkuar vetë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa kanë qenë mjekët ata të cilët kanë njoftuar policinë.
Muçllari ka treguar para uniformave blu se është qëlluar nga dy persona që lëviznin me makinë. Autorët e dyshuar janë identifikuar nga Policia si Firdeus Berberi, djali i njohurit si “ i forti” i Pogradecit Ilir Berberi si dhe shoku i tij, Greisi Maxhari. Njëri prej tyre dyshohet se ka lidhje me një prej atentateve që i janë bërë të riut në vitin 2020.
Kujtojmë se familja Muçllari i shpëtoi dy atentateve brenda javës në vitin 2020.
Më 8 gusht të atij viti, hoteli i Jetmir Muçllarit u qëllua me breshëri automatiku në një kohë kur brenda ishin turistë.
Asokohe pronari i hotelit tha se dy persona kishin qëlluar disa herë me kallashnikov në drejtim të dhomës ku flinte djali dhe dy dhomave ku ishin turistë.
Jetmir Muçllari deklaronte para kamerave se djemve të tij u rrezikohej jeta dhe kërkonte mbrojtje nga Policia.
“Jemi të kërcenuar si familje. Kërkojmë mbrojtje nga policia. Dyshoj se objektiv i atentatit të sotëm dhe atij që ndodhi para një jave ka qene djali im. I kam denoncuar me emra autorët, por policia nuk po vepron. Kërkoj azil për dy djemtë, pasi këtu ju rrezikohet jeta.”– deklaroi asokohe Muçllari. Paralajmërimi i tij duket se nuk ka qenë më kot, pasi i biri i shpëtoi sot një tjetër atentati. Dhe një nga autorët e dyshuar që është shpallur në kërkim, besohet se ka patur lidhje me atentatin e mëparshëm.