Vendosni fjalën kyçe....

Macron mban fjalimin e parë pas rizgjedhjes: Do e bëjmë Francën një një vend të madh të gjelbër


Emmanuel Macron ka fituar një mandat të dytë si president i Francës, sipas rezultateve të plota të publikuara nga Ministria e Brendshme në balotazhin e zgjedhjeve të së dielës.

Macron, kandidati i ‘La Republique En Marche’ ka marrë 58.6% ose 18.779.809 vota. Pjesëmarrja ishte 72.37%, sipas ministrisë, më e ulëta që nga viti 1969.

Macron hyri në një zonë të posaçme të përgatitur për fjalimin e tij përpara Kullës Eifel i shoqëruar nga muzika e kompozitorit të famshëm gjerman Beethoven.

“Shumica prej jush kanë zgjedhur të më besojnë edhe për pesë vjet të tjera.” – tha ai, duke shtuar: “Unë e di se çfarë ju detyrohem.”

“Pas pesë vitesh shndërrime, orësh të lumtura dhe të vështira, këtë ditë të 24 prillit, shumica prej jush kanë zgjedhur të më besojnë mua për të kryesuar Republikën tonë për pesë vitet e ardhshme. E di që shumë nga bashkatdhetarët tanë votuan për mua sot jo për të mbështetur idetë që mbaj, por për të bllokuar ato të së djathtës ekstreme. Dua t’i falënderoj këtu dhe t’u them se jam i vetëdijshëm që vota e tyre më lidh për vitet në vazhdim.” – tha ai.

“Sot keni zgjedhur një projekt humanist, ambicioz për pavarësinë e vendit tonë, për Europën, ambicioz në vlerat e saj, social dhe ekologjik, një projekt i bazuar në punë dhe krijim. Këtë projekt dua ta mbaj me forcë edhe për vitet në vijim, duke marrë parasysh kundërshtimin që është shprehur.” – shtoi presidenti i sapozgjedhur.

Në fjalimin e tij relativisht të shkurtër, por emocional, Macron premtoi se do ta ‘bëjë Francën një vend të madh të gjelbër’, të punojë për forcimin e BE-së, të luftojë për barazinë gjinore dhe kundër padrejtësisë sociale, të mbështesë ekonominë dhe të nxisë investimet dhe kreativitetin.

“Kemi shumë për të bërë. Lufta në Ukrainë është atje për të na kujtuar se po kalojmë kohë tragjike ku Franca duhet të tregojë qartësinë e zërit të saj dhe të ndërtojë forcën e saj në të gjitha fushat, dhe ne do ta bëjmë këtë.” – tha ai.

Pëgatiti për Hashtag.al, K.Manjani