Të tjera detaje dalin në dritë nga plagosja e të riut Johan Muçllari në Pogradec. I plagosuri është djali i pronarit të Hotel Voloreka në Pogradec.
Muçllari ka shkuar vetë në spital, ku mjekët që kanë njoftuar policinë. I plagosuri ka treguar para uniformave blu se është qëlluar nga dy persona që lëviznin me makinë. Autorët e dyshuar janë identifikuar nga Policia si Firdeus Berberi dhe Greisi Maxhari.
Kujtojmë se familja Muçllari i shpëtoi dy atentateve brenda javës në vitin 2020.
Më 8 gusht të atij viti, hoteli i Jetmir Muçllarit u qëllua me breshëri automatiku në një kohë kur brenda ishin turistë.
Asokohe pronari i hotelit tha se dy persona kishin qëlluar disa herë me kallashnikov në drejtim të dhomës ku flinte djali dhe dy dhomave ku ishin turistë.
Jetmir Muçllari deklaronte para kamerave se djemve të tij u rrezikohej jeta dhe kërkonte mbrojtje nga Policia.
“Jemi të kërcenuar si familje. Kërkojmë mbrojtje nga policia. Dyshoj se objektiv i atentatit të sotëm dhe atij që ndodhi para një jave ka qene djali im. I kam denoncuar me emra autorët, por policia nuk po vepron. Kërkoj azil për dy djemtë, pasi këtu ju rrezikohet jeta.”– deklaroi asokohe Muçllari.
NJOFTIMI I POLICISË
Plagosën me armë zjarri gjatë një konflikti të çastit një shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes.
Më datë 25.04.2022, rreth orës 16:00, në Spitalin e Pogradecit është paraqitur për mjekim, jashtë rrezikut për jetën, i dëmtuar në këmbë shtetasi J. M., i cili dyshohet të jetë plagosur në lagjen “Voloreka”, me armë zjarri tip pistoletë, gjatë një konflikti të çastit, nga dy shtetas të tjerë.
Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar shërbimet e policisë dhe nga veprimet e para u bë e mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar konkretisht shtetasit F. B. dhe G. M.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.