Vendosni fjalën kyçe....

Piktorja pa penela, Adela Osmani hap ekspozitën e saj të parë në Paris (FOTO)


Artistja e re nga qyteti bregdetar i Durrësit Adela Osmani ka hapur ekspozitën e saj të parë në Paris, duke realizuar ëndrrën e saj prej shumë vitesh.

Ekspozita e saj u mbajt në datat 21-14 Prill, sikurse ka treguar edhe ajo përmes postimeve në rrjetet sociale.

E veçanta e Adelës është se ndryshe nga shumë piktorë të tjerë, penelin e ka hedhur tutje dhe bojërat i përzien në telajo vetëm me duart e saj. Pikërisht për shkak të kësaj, ajo njihet shpesh mes artistëve të tjerë si “piktorja pa penela”.

Sikurse ka treguar në intervistat e saj televizive, Adela Osmani ka nisur të pikturojë që në moshën 8-vjeçare dhe pasionin e saj e ka vijuar… edhe ndërsa ndjek studimet universitare për “Interior Design”. Një degë e cila është shumë e afërt me pasionin e saj për pikturën.

Nga pikturat që dikur ua dhuronte miqve apo të afërmve, biznese të shumta nisën t’i kërkonin që ajo të realizojë punime enkas për ambjentet e tyre dhe sot pikturat e saj arrijnë në shifra të larta. Kështu që hapja e ekspozitës së saj të parë… nuk vjen fare rastësisht por është një nga arritjet e para të karrierës së saj si artiste nga shumë të tjera që presim në vazhdim. Dhe të gjithë ju që jeni kurioz, më poshtë keni disa pamje nga ekspozita e të talentuarës nga Durrësi.