Policia e Parisit ka vrarë dy persona pasi hapi zjarr ndaj një mjeti që u përpoq t’i godiste, ka pretenduar ajo.
Makina thuhet se u drejtua drejt policisë në urën Pont Neuf pranë muzeut të famshëm të Luvrit në qendër të Parisit. Policia hapi zjarr ndaj automjetit pasi drejtuesi i tij nuk i përfilli thirrjet për të ndaluar.
Shoferi dhe një pasagjer i ulur në sediljen e përparme mbetën të vrarë. Makina ishte parkuar në drejtim të gabuar përgjatë sheshit Vert-Galant në Pont-Neuf. Policia iu afrua automjetit për të kontrolluar pasagjerët e tij duke u drejtuar armët, tha një dëshmitar i cituar nga gazeta ‘Le Figaro’.
“Shoferi u largua drejt policisë me shpejtësi të plotë.” – tha dëshmitari.
Masat e rrepta të sigurisë u vendosën të dielën në Paris për shkak të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku Emmanuel Macron fitoi një mandat të dytë në detyrë.
Policia speciale u vendos gjithashtu në pika të ndryshme të qytetit për shkak të protestave të vogla në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve.
Një hetim ka nisur për ngjarjen, sipas raporteve lokale.