Vendosni fjalën kyçe....

Rusia shpall “non grata” 40 diplomatë gjermanë


Rusia ka shpallur 40 diplomatë gjermanë si persona të padëshiruar, ka thënë Ministria e Jashtme ruse, duke urdhëruar kështu dëbimin e tyre.

Ky vendim është parë si shenjë hakmarrjeje ndaj vendimit të njëjtë të Berlinit për të dëbuar numër të njëjtë të diplomatëve rusë nga Gjermania më 4 prill.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se i ka dërguar ambasadorit gjerman në Moskë një letër proteste për politikat armiqësore të Berlinit si dhe kundërshtimin për dëbimin e 40 diplomatëve rusë në fillim të muajit prill.

Sipas agjencisë së lajmeve dpa, kjo shifër përbën një të tretën e stafit diplomatik gjerman në Rusi.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se Gjermania e ka pritur këtë vendim, mirëpo ka shtuar se ai nuk “arsyetohet assesi”, përcjell REL.

Të 40 diplomatët rusë të dëbuar tri javë më parë “nuk kanë kryer asnjë ditë shërbim diplomatik gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani”, ka thënë ajo përmes një deklarate.

“Këta njerëz kanë punuar në mënyrë sistematike kundër lirive tona dhe kundër kohezionit në shoqërinë tonë për vite”.

Baerbock ka thënë se puna e tyre ka kërcënuar njerëzit që kanë kërkuar mbrojtje në Gjermani, duke thënë se një qasje e tillë nuk mund të tolerohet më.

Diplomatët e dëbuar nga Rusia “nuk janë fajtorë për asgjë”, ka thënë ajo, duke shtuar se ata kanë shkuar në Rusi për marrëdhënie bilaterale.

“Me dëbimet e kryera sot, Rusia është duke dëmtuar veten edhe më shumë”.

Shtetet evropiane kanë dëbuar më shumë se 300 pjesëtarë të ambasadave ruse prej kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.