Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për ‘Çështjen Beccheti’.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vendimin në fjalë nuk është arritur numri i nevojshëm i votave të kërkuara për vendimmarrje.
Në çështjen konkrete, Gjykata vëren se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor e depozituar në Kuvend është nënshkruar nga 39 deputetë. Kërkesa për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave drejtuar Gjykatës është nënshkruar nga 36 deputetë, 5 nga të cilët nuk rezultojnë të kenë nënshkruar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor.
“Pra, vetëm 31 nga 36 deputetë që i janë drejtuar Gjykatës rezultojnë të kenë nënshkruar edhe kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Në këtë situatë, edhe pse kërkesa drejtuar Gjykatës formalisht plotëson numrin e kërkuar nga neni 77, pika 2, i Kushtetutës (35 deputetë), lista nominale e deputetëve në të dyja kërkesat nuk përputhet.”- thotë Kushtetuesja.
Gjykata thotë më tutje se pasi mori në shqyrtim legjitimimin e një të katërtës së deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me një të katërtën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend, “nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas nenit 133, pika 2, të Kushtetutës, të detajuar edhe në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000. Për rrjedhojë, duke qenë se nuk u formua shumica prej 5 gjyqtarësh, në kuptim të nenit73, pika 4, të ligjit nr.8577/2000, kërkesa e një të katërtës së deputetëve konsiderohet e rrëzuar.”
Lexo këtu vendimin e plotë.