Vendosni fjalën kyçe....

Filmi i Roland Sejkos një nga fituesit e çmimeve “Nastri d’Argento” në Itali


Filmi i regjisorit shqiptar Roland Sejko me titull “Makina e imazheve nga Alfredo C.” është ndër fituesit e çmimit “Nastri d’Argento”, si Dokumentari më i Mirë i Vitit.

Dy fituesit e tjerë janë “LET’S KISS” e Franco Grillini si dhe filmi “Spettacoli PER LUCIO” e Pietro Marcellos.

Kështu raportojnë sot gazetarët italianë të filmit, duke e cilësuar filmin si një “reflektim mbi propagandën politike të lidhur me çdo regjim totalitar që i është besuar një rindërtimi të jashtëzakonshëm arkivor dhe aktorit Pietro De Silva”, citon Cinecitta.com.

Çmimet dhe finalistët u zgjodhën mes 150 filmave të publikuar në 2021 dhe u panë nga Bordi Kombëtar i Drejtorëve i rinovuar së fundmi, në një panoramë veçanërisht të pasur me tema, histori dhe personazhe. Presidentja e Gazetarëve, Laura Delli Colli tha “në një vit ende të vështirë, të shënuar nga dëshmi interesante të lidhura me të tashmen dhe në një ferment të veçantë krijues duke patur parasysh kushtet kritike që ka përjetuar kinemaja në dy vitet e fundit”.

Dorëzimi i çmimeve do të bëhet të premten e 6 majit, në orën 18:00.

 “Makina e imazheve nga Alfredo C.” tregon historinë e mijëra italianëve dhe historinë e vogël të një njeriu të vetmuar në fund të Luftës së Dytë Botërore, një kameraman të cilin tekat e fatit e hedhin atë në Shqipëri.

Personazhi filmon po njësoj pushtimin italian të 7 prillit, instalimin e regjimit fashist këtu tek ne, luftën italo-greke në majat me borë të malit të Gramozit dhe krejt çuditshëm, bëhet një nga 27 mijë italiantë që “merren peng” nga regjimi komunist pas përfundimit të luftës së dytë botërore.