Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari Mentor Kikia: Servilosjen ndaj SHBA-së e kemi në kufijtë e pështirosjes


Gazetari Mentor Kikia ka deklaruar mbrëmjen e djeshme se partneritetin me SHBA-në, shqiptarët e tregojnë në formën më servile të mundshme, deri në pështirosje.

Ai e ka bërë deklaratën në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV ku ishte i ftuar.

Kikia solli si shembull një ngjarje të ndodhur në kohën e Mbretit Zog ku u vranë dy shtetas amerikanë.

“Qëndrimi proamerikan i shqiptarëve dhe politikës shqiptare është keqkuptuar në përmasat e një servilizmi të pashoq. Që para 100 vjetësh, kur në Mamurras u vranë dy shtetas amerikanë dhe Zogu vari gjithë opozitën në mes të Tiranës si autorë të vrasjes, dokumentet tregojnë se politikanët shqiptarë të kohës shkonin çdo mëngjes dhe qanin te dera e ambasadës derisa kjo i nxori përjashta dhe u tha nuk presim më ngushëllime. Ne nuk dimë të bëjmë partneritet. Ne e kemi partneritetin në formën e një servilosjeje deri në kufijtë e pështirosjes.” – tha Kikia.

Deklarata e tij teksa ditët e fundit në vend ka nisur nënshkrimi i një peticioni online që i kërkon DASH-it të ndalojë ambasadoren Kim nga ndërhyrja në drejtësinë shqiptare.

Më herët, ish-kryeministri Berisha e ambasadorja Kim kanë shkëmbyer replika e kundëreplika.

Ndërsa Berisha e ka akuzuar Kim se po fut hundët dhe po ushtron presion ndaj drejtësisë shqiptare, kjo e fundit është përgjigjur se po nxit drejtësinë të bëjë detyrën.