Vendosni fjalën kyçe....

Meta dekreton Darjel Sinën anëtar të Gjykatës së Lartë, kritika KLGJ-së (problematikat e hasura)


Presidenti Meta ka dekretuar emërimin e Darjel Sinës si anëtar të Gjykatës së Lartë. Ky i fundit ishte propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Me emërimin e tij, Gjykata e Larta bëhet me 12 anëtarë nga 19 që duhet të ketë në përfundim të procesit.

Meta ka theksuar në dekretin e tij se plotësimi i kësaj vakance ka zgjatur dy vjet e shtatë muaj duke e quajtur të papranueshme kohëzgjatjene procedurave të ndekura nga KLGJ-ja.

Darjel Sina ka qenë më herët Komisioner Publik pranë organeve të vetingut. Emri i tij u bë i njohur për konfliktin e interesit në rastin e vetingut ndaj ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.

Ndërsa ky i fundit e kaloi shkallën e parë të vetingut në KPK, Sina e ankimoi vendimin e më pas KPA e shkarkoi Dedjen.

Darjel Sina ka qenë një nga kandidatët që ka konkurruar për një vend si gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut, por pas votimit nuk mundi dot që të kualifikohej për të qenë në treshen finale që do i paraqitej për miratim institucionit të lartpërmendur.

Vendimi për moskualifikimin e Sinës për në Strasburg u mor nga një komision që përbëhej prej Luan Omarit (Konstitucionalist, ish-anëtar i Komisionit të Venecias), Kristaq Trajës (Ish-gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut), Bashkim Dedjas (Kryetar i Gjykatës Kushtetuese), Artan Hoxhës (Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, ish- gjyqtar në Gjykatën e Lartë) dhe Artur Metanit (Drejtor i Departamentit të Legjislacionit në Kryeministri).

Në votimin e tij, Dedja, nuk ka votuar për Dariel Sinën si kandidat zyrtar, por për 3 emra të tjerë, të cilët më pas u zyrtarizuan si kandidatë për në gjykatën e Strasburgut.

Ndërsa një hulumtim i Gazetadita për Sinën pasi ky i fundit ishte ndër kandidatët për një vend në Gjykatën e Lartë tregoi se ai jo vetëm që nuk plotësonte kriteret ligjore për të qenë në garë por edhe se kishte manipuluar të dhënat.

Njoftimi

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta në datën 19 prill 2022, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Darjel Sina si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t’u emëruar përmes procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile.

Presidenti i Republikës pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, konstatoi se plotësimi i këtij vendi vakant është shpallur për aplikim që prej datës 11 shtator 2019, me vendimin nr. 172 të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Në përfundim të shqyrtimit të këtij propozimi, Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së, dhe përmes Dekretit nr. 13573, datë 26.4.2022, ka vendosur që:

Zoti Darjel Sina të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur.

Me këtë emërim të ri, nga sot Gjykata e Lartë, bëhet me 12 (dymbëdhjetë) gjyqtarë, nga 19 që kjo gjykatë duhet të ketë.

Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, ripërsërit me forcë rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbi vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.

Plotësimi i kësaj vakance në Gjykatën e Lartë ka zgjatur ekzaktësisht 2 (dy) vjet e 7 (shtatë) muaj, (shtator 2019-prill 2022) ç’ka tregon se kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm. Edhe pse Presidenti i Republikës, zyrtarisht dhe përmes mesazheve publike ka kërkuar dhe ka bërë disa herë thirrje për ndjekjen me prioritet të procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, sërisht faktet tregojnë se KLGJ dhe/apo institucionet e përfshira apo të lidhura me këtë proces kanë vepruar jashtë këtij prioriteti.

Megjithatë, në mbështetje të Kushtetutës dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së, për emërimin e zotit Darjel Sina, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë.”