Vendosni fjalën kyçe....

Putin akuza Perëndimit: Ka nisur ‘terrorin’ kundër Rusisë


Përpjekjet e dështuara për të ‘shkatërruar Rusinë nga brenda’ detyruan Ukrainën dhe ‘përpunuesit’ e saj perëndimorë që t’u drejtohen masave terroriste, tha të hënën presidenti rus Vladimir Putin.

Duke folur në një takim të Bordit të Prokurorisë së Përgjithshme, Putin nënvizoi se si, sipas tij, prioritetet e Evropës dhe SHBA-së në lidhje me Rusinë dhe operacionin e saj ushtarak në Ukrainë kishin ndryshuar gjatë javëve të fundit.

Së pari, tha ai, ‘diplomatë të rangut të lartë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara’ ishin të përfshirë në një ‘diplomaci të çuditshme’, duke i kërkuar ‘satelitëve të tyre ukrainas’ të bënin gjithçka që ishte e mundur ‘për të fituar në fushën e betejës’.

Putin me sa duket po i referohej një deklarate të fundit të diskutueshme të kryediplomatit të BE-së Josep Borrell, i cili, pas vizitës së tij në Kiev, tha se ‘kjo luftë do fitohet në fushën e betejës’.

Gjatë një bisede javën e kaluar me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, Putin vuri në dukje ‘deklaratat e papërgjegjshme të përfaqësuesve të BE-së për nevojën për të zgjidhur situatën në Ukrainë me mjete ushtarake’.

Sipas mendimit të Putinit, Perëndimi që atëherë ka ndryshuar qëllimin e tij.

“…Teksa e kuptojnë se kjo është e pamundur, ata përpiqen të arrijnë një objektiv tjetër në vend të kësaj, të përçajnë shoqërinë ruse, të shkatërrojnë Rusinë nga brenda. Por edhe këtu ka një pengesë; as kjo nuk ka funksionuar.” – tha Putin.

Sipas tij, shoqëria ruse ‘ka treguar pjekuri, solidaritet’ dhe mbështet forcat e saj të armatosura dhe përpjekjet ‘për të garantuar sigurinë përfundimtare të Rusisë dhe për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në Donbass’.

Pas një ‘fiaskoje’ në fushën e medias, pohoi Putin, Perëndimi është kthyer në ‘terrorizëm, në organizimin e vrasjes së gazetarëve tanë’.

Ai i referohej njoftimit të së hënës nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) se kishte arrestuar një grup ‘neo-nazistësh’ të udhëzuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) për të vrarë prezantuesin e njohur televiziv rus dhe gazetarin Vladimir Solovyov. Kievi ka mohuar çdo rol në organizimin e atentatit.

“Në këtë drejtim, duhet theksuar sigurisht se ne i dimë emrat e të gjithë menaxherëve perëndimorë, të të gjithë anëtarëve të shërbimeve perëndimore, kryesisht CIA-s, të cilët punojnë me agjencitë e sigurisë ukrainase. Me sa duket, ata po u japin atyre këshilla të tilla.” – tha udhëheqësi rus.

Ai shtoi me sarkazëm se ‘ky është qëndrimi i tyre ndaj të drejtave të gazetarëve, ndaj shpërndarjes së informacionit; ky është qëndrimi i tyre ndaj të drejtave të njeriut në përgjithësi’.

“Gjithçka që u intereson janë të drejtat e tyre, disa duke pasur ambicie perandorake, të tjerët duke e mbajtur të kaluarën e tyre koloniale në mënyrën e vjetër. Por kjo nuk do funksionojë në Rusi.” – tha Putin.

Ndërsa Kremlini ka akuzuar Perëndimin për përpjekje për të përçarë shoqërinë ruse, vendet perëndimore kanë pretenduar se Moska shtyp opozitën, mediat e pavarura.

Këto lloj kritikash janë përforcuar pas nisjes së sulmit në Ukrainë dhe masave të mëpasshme të marra nga Moska për të goditur ‘lajmet e rreme’ dhe të ashtuquajturit ‘agjentë të huaj’.