Një gjykatë në Moskë ka sekuestruar pronën dhe ka ngrirë llogaritë bankare të nëndegës ruse të Google. Këto veprime janë ndërmarrë si garanci kundër një vendimi të mundshëm gjyqësor pas ngritjes së padisë nga kjo kompani amerikane kundër një nëndege të kompanisë Gazprom-Media.
Gjykata e Arbitrazhit të qytetit të Moskës tha më 26 prill se kishte vendosur gjashtë ditë më parë që të marrë asetet e Google, që kanë një vlerë prej rreth 500 milionë rublash (6.6 milionë dollarë), raporton REL.
Nëndega e Gazprom-media, kompania GPM Entertainment TV, po e padit Google për refuzimin që të rikthej qasjen në kanalin e kësaj kompanie në YouTube. Kjo kompani po ashtu po kërkon kompensim financiar për dëmet dhe po kërkon që t’i rikthehet qasja në llogarinë në YouTube.
Në fillim të marsit, disa ditë pas nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, Google bllokoi kanalet në YouTube të disa mediave të financuara nga shteti rus në Evropë dhe çaktivizoi programin për fitime monetare të bllogerëve rusë, përfshirë në YouTube.
Presidenti i Google për çështje globale, Kent Walker, atëbotë kishte deklaruar për bllokimin e kanaleve se “në këtë krizë të jashtëzakonshme po ndërmarrin masa të jashtëzakonshme për të ndalur përhapjen e deizinformatave dhe për të penguar fushatat e dezinformatave online”.