Hunter Biden, djali i Presidentit amerikan Joe Biden, këmbënguli në vitin 2018 që një nga të dashurat e tij të testohej për HIV dhe t’i raportonte rezultatin menjëherë.
Kjo grua ishte Hallie Biden, e veja e vëllait të tij të ndjerë.
Në një nga mesazhet e publikuara nga “Fox News” me titull “DUHET TË BËSH TESTIN PËR HIV HALLIE”, Hunter Biden shkruan: “Duhet të më informosh për rezultatin. SOT. Unë jam duke u testuar sot. Unë jam shumë i frikësuar Hallie dhe ti më mbylle telefonin. Dashuria që jep është shumë shqetësuese.”
Hunter Biden ka patur një lidhje jashtëmartesore me Hallie Biden që nga viti 2016, rreth një vit para se ai dhe gruaja e tij e atëhershme, Kathleen Biden, të divorcoheshin. Kjo ndodhi gjithashtu vetëm një vit pasi vëllai i tij, Beau Biden, humbi jetën nga kanceri në tru.
Vetë Hunter i ka zbuluar detajet e lidhjes së atëhershme me Hallie në librin e tij të kujtimeve të vitit 2021 me titull “Beautiful Things”. Ai shpjegonte se lidhja nisi rreth një vit pasi vëllai i tij, Beau, vdiq nga kanceri në tru. Hunter tha se ai e bindi me sukses babanë e tij, Joe Biden, ta falte publikisht për aferën në vitin 2017, pasi ai fillimisht hezitoi ta mbështeste publikisht.
“Ne jemi të gjithë me fat që Hunter dhe Hallie gjetën njëri-tjetrin teksa po nisnin përpara me jetën e tyre pas një trishtimi të tillë.”– shprehej Joe Biden asokohe. “Ata kanë mbështetjen time të plotë dhe të Jill dhe ne jemi të lumtur për ta.”
Hunter ishte i martuar me Kathleen Buhle, por u ndanë gjatë kësaj afere dhe divorci u finalizua në prill të vitit 2017. Gjatë asaj kohe, ndërsa jetonte me Hallie, Hunter nisi një marrëdhënie seksuale edhe me motrën më të madhe të saj, Elizabeth Secundy. Po ashtu pati një lidhje dhe me ish-striptisten Lunden Roberts.
Një muaj pasi Hunter Biden dërgoi emailin e lartpërmendur për të venë e vëllait ku i kërkonte të bënte testin për HIV, në gusht të vitit 2018 erdhi në jetë fëmija i tij me ish-striptisten.
Hunter dhe Hallie përfundimisht u ndanë në fund të vitit 2018, gjë që u bë publike në vitin 2019. Hunter Biden fillimisht e mohoi të ishte babai i fëmijës së Roberts, mirëpo në janar të vitit 2020 gjykata me anë të testit të ADN-së konfirmoi të kundërtën. Ai ishte “babai biologjik dhe ligjor” i fëmijës së Roberts dhe Hunter u urdhërua të paguante për kujdesin ndaj tij.
Shumë nga detajet dolën në dritë pasi të dhënat e laptopit të famshëm që ai braktisi në një dyqan riparimi në Delaëare ranë në duart e mediave në vitin 2020. “Fox News” raportoi gjithashtu se djali i presidentit e akuzoi Hallie Biden se ia ktheu vajzën e saj (mbesën e tij) kundër dhe e këshillonte atë të kërkonte “ndihmë serioze profesionale afatgjatë”.