Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur sot në një prononcim për mediet lidhur me dosjen CEZ-DIA.
Balla theksoi se Kuvendi është investuar në atë çështje nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar por sipas tij Prokuroria nuk kreu hetime të thella për atë që e quan një nga aferat më të rënda korruptive në 30 vitet e fundit.
“E para që të jetë e qartë për të gjithë që Kuvendi i Shqipërisë është investuar në atë çështje në një Komision Hetimor parlamentar. Raporti përfundimtar është depozituar në 2017 në Prokurorinë e Përgjithshme. Për fat të keq Prokuroria nuk kreu hetime të thella për një nga aferat më të rënda korruptive në 30 vitet e fundit në Shqipëri.
Shteti shqiptar ka humbur 418 mln euro falë abuzimeve të kryera përgjatë privatizimit të OSSH tek CEZ dhe më pas të kthimit prapësht të atij privatizimi.”– tha Balla nga Fieri.
Më pas ai shtoi se e ka përshëndetur njoftimin jo zyrtar por nga mediet, për të marrë në pyetje një prej dëshmitarëve kryesorë në dosjen e CEZ.
Balla tha se në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor përkatës prej vitit 2017 i ka kërkuar prokurorisë që edhe ai vetë të thirret për t’i vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës, ndërsa theksoi se SPAK duhet të informojë publikun për çështjen.
“E kam përshëndetur njoftimin e bërë nga mediat jo zyrtarisht nga vetë SPAK-u për marrjen në pyetje të një prej dëshmitarëve kryesor apo pjesëtarëve kryesorë në dosjen CEZ. Nuk e di në çfarë statusi është marrë z.Ismailaj, por në rast se ai pranon të bashkëpunojë me drejtësinë në funksion të zbardhjes është diçka e mirë. Nga z.Ismailaj besoj se mund të merren të dhëna të rëndësishe.
Të mos harrojmë që Kuvendi ka denoncuar publikisht Sali Ramë Berishën dhe bashkëpunëtorë apo familjarë të tij lidhur me këtë çështje. Unë mendoj që prokuroria duhet t’i marrë të gjithë në pyetje. Dhe natyrshëm në cilësinë e kryetarit hetimor përkatës, prej vitit 2017 i kam prokurorisë që edhe unë të thirrem, për ti vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës dhe të gjithë informacionin e marrë.
Mendoj që zbardhja e kësaj çështje është jo vetëm një detyrim i drejtësisë së re, por është një detyrim edhe i secilit prej nesh që është në dijeni të atij krimi. SPAK duhet të informojë publikun nëse është hapur kjo çështje.”- u shpreh Balla.