Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar peticionin online që është firmosur nga mijëra qytetarë ditët e fundit kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Në një prononcim për mediet nga Fier, Balla e ka konsideruar të turpshëm këtë peticion.
Ai e konsideroi këtë si një nga “sulmet e turpshme” të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Ballës, ai po nxit anti amerikanizmin në Partinë Demokratike.
“Këto janë sjellje të trashëguara nga regjimi komunist, unë jam i ri, por kam pasur mundësinë që të lexoj, nga ato çmenduritë e regjimit, ku ftoheshin masat që të bënin sulme kundër personave të caktuar, dhe natyrshëm kundër rrezikut angloamerikan.
Në fakt edhe ky sulm ndaj një prej ambasadorëve më të mirë që SHBA ka pasur në Shqipëri, Zonjës Kim… ju gazetarët më thoni se me cilin prej ambasadorëve amerikane Sali Berisha ka pasur një marrëdhënie të mirë? Me cilin?
Më thoni njërin që paska patur një marrëdhënie të mirë dhe tani nxit gjithë këtë historinë e peticioneve. Prandaj them se ky është një turp, krijimi i frymës antiamerikane në PD me prirje për të gjetur aleatë, apo ndonjë kalemxhi që paguhet nga lekët e pista të djalit të Sali Berishës, unë mendoj se këto janë një turp që i takon ta mbajnë ata që iu takon. Ne jemi populli me % më të lartë të respektit për SHBA.
Ne kurrë nuk do të harrojmë që pa mbështetjen e SHBA-ve, Shqipëria rrezikonte ekzistencën e saj si shtet-komb.”- u shpreh Balla.