Vendosni fjalën kyçe....

Çifti nga Kosova masakrohen me thikë në banesën e tyre në Francë, ishin prindër të 7 fëmijëve


Një ngjarje makabre ka ndodhur të martën e 26 prillit në një apartament të vendosur në lagjen Plateau de la Justice në Epinal të Francës.

Mediet franceze kanë raportuar se një çift nga Kosova janë gjetur të vdekur në apartamentin ku banonin me shtatë fëmijët e tyre.

Trupat e pajetë u gjetën në banjën e banesës, të masakruar me thikë.

Në momentin kur ka mbërritur policia, kanë qenë të pranishëm katër nga fëmijët e çiftit, dy prej të cilëve të rritur. Fëmijët e moshës 16 deri në 21 vjeç u evakuuan nga zjarrfikësit dhe janë dërguar në spital për vëzhgim për shkak të tronditjes nga ngjarja e rëndë.

Dëshmia e tyre besohet se do të hedhë dritë në hetimet e policisë. Ndërkohë dëshmitë e fqinjëve nuk i kanë ndihmuar aspak hetuesit, pasi ata kanë deklaruar se nga apartamenti nuk kanë dëgjuar zhurma apo debate.

Megjithatë të dielën (dy ditë para ngjarjes) thuhet se policia ka ndërhyrë për një mosmarrëveshje mes një vëllai dhe motrës së tij, po në këtë banesë. Por nuk dihen detaje.

Policia shkencore kaloi një pjesë të ditës në vendngjarje për të gjetur gjurmë por nga gjetjet fillestare të hetuesve nuk doli asnjë pistë. Dëshmitë e fëmijëve do të jenë thelbësore për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.