Vendosni fjalën kyçe....

Del videoja pak para vrasjes së kineastes Halyna Hutchins, skena ku aktori Alec Baldwin nxjerr revolen dhe e drejton nga kamera


Zyra e Sherifit të Qarkut Santa Fe ka publikuar një video nga seti i filmit, ku humbi jetën kineastrja Halyna Hutchins.

Videoja tregon momentin kur aktori Alec Baldwin nxjerr revolverin nga xhaketa dhe e drejton nga kamera.

Më vonë, gjatë së njëjtës skenë, arma u shkrep duke vrarë kineasten Halyna Hutchins dhe plagosi regjisorin Joel Souza. Baldwin është shprehur se nuk e ka tërhequr këmbëzën, dhe nuk është akuzuar për vepër penale.

Ngjarja ndodhi në shesh-xhirimet e filmit “Rust” në New Mexico tetorin e kaluar. Zyra e Sherifit aktualisht është duke hetuar se si plumbat gjetën rrugën e tyre në armë, e cila supozohej të ishte e pa mbushur.

Departamenti i dorëzoi një pjesë të hetimit të tij Zyrës së Parë të Prokurorit të Rrethit Gjyqësor në Santa Fe.

“Hetimi nuk është i plotë”– tha në një deklaratë prokurorja e qarkut Mary Carmack-Altwies. “Zyra e Sherifit është ende në pritje të raporteve thelbësore dhe nuk do të përfundojë hetimin e tyre derisa ato raporte të jenë dorëzuar. Pasi të marrim hetimin e përfunduar dhe të kryejmë një shqyrtim të plotë dhe të qëllimshëm të të gjitha provave, do të merret një vendim për akuzën penale.”

Ndërsa Baldwin nuk po përballet ende me akuza penale, Byroja e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë të New Mexico ka vënë ​​një gjobë prej 136 mijë e 793 dollarësh për kompaninë e prodhimit të filmit javën e kaluar për dështimin në zbatimin e procedurave të duhura të sigurisë së armëve të zjarrit në xhirime. Burri i Hutchins ka ngritur gjithashtu një padi kundër Baldwin dhe producentëve të filmit.