Një gjykatës federal në Luiziana ka lëshuar një urdhër të përkohshëm ndalimi që bllokon administratën e presidentit amerikan Joe Biden të përfundojë një politikë emergjente që lejon agjentët kufitarë të dëbojnë shpejt azilkërkuesit me synimin për t’u mbrojtur nga përhapja e Covid-19.
Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të SHBA Robert Summerhays mori vendimin e tij, duke miratuar një kërkesë nga 21 shtete të udhëhequra nga republikanët për të bllokuar administratën që të ecë përpara me planet e administratës.
“Kjo është një fitore e madhe për sigurinë kufitare, por lufta vazhdon.” – tha Prokurori i Përgjithshëm i Misurit Eric Schmitt për vendimin. Misuri, Luiziana dhe Arizona ishin shtetet e para që kundërshtuan vendimin e administratës, ndërsa Teksasi ngriti një padi të veçantë për të mbajtur Artikullin 42 në vend.
Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan në fillim të këtij muaji se do t’i jepte fund dëbimeve të emigrantëve që përfshiheshn nga Artikulli 42, duke thënë se kufizimet emergjente nuk ishin më të nevojshme në kushtet e tanishme të shëndetit publik.
Megjithatë, ditë më vonë, e njëjta agjenci zgjati urdhrin që u kërkon amerikanëve të mbanin maska në aeroplanë, trena dhe transporte të tjera publike, duke thënë se duhej më shumë kohë për të vlerësuar ndikimin e rritjes së infeksioneve Covid-19.
Ish-Presidenti Donald Trump vendosi kufizime të Artikullit 42 në mars 2020 dhe autoriteti është përdorur për të dëbuar më shumë se 1.8 milionë emigrantë në Meksikë ose në vendet e tyre të origjinës. Azilkërkuesit u lejuan më parë të qëndronin në SHBA ndërsa prisnin gjykimin e kërkesave të tyre për azil.
Me rritjen e trafikut të emigrantëve në nivelin më të lartë në 22 vjet që kur Biden mori detyrën në janar 2021, shumë republikanë dhe madje edhe disa demokratë kanë kritikuar vendimin për t’i dhënë fund përdorimit të Artikullit 42, duke thënë se kjo do e përkeqësojë krizën kufitare.
Më shumë se 220,000 migrantë u kapën në kufirin SHBA-Meksikë në mars, 33 për qind më shumë nga muaji i kaluar dhe numri më i lartë që nga viti 2000.