Kryeministri Edi Rama në deklaratën për mediat pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PS-së deklaroi se për President do kishin votuar me bindje për Hashim Thaçin por që është e pamundur për shkak të situatës ku ndodhet ish-presidenti i Kosovës.
“Do kishim vënë Hashim Thaçin dhe do ishte i shkëlqyer dhe do ta kishim votuar me bindje, por fatkeqësisht ai nuk është i pranishëm për momentin në jetën e bashkësisë shqiptare si një qytetar i lirë, pasi ndaj tij po zhvillohet një proces i cili… mos më bëni ta them se ca procesi është”, tha Rama.
Më tej Rama u pyet për negociatat me Partinë Demokratike duke thënë se nuk ka akoma asnjë proces. Ai theksoi se nuk do ketë asnjë negociatë me “përfaqësues të botës së përtejme” duke iu referuar Berishës.
“Nuk ka akoma një proces. Kemi dëgjuar dhe raportin e bërë nga Komisioni i Posaçëm që kemi ngritur. E kam thënë dhe e përsëris se ne nuk bëjmë asnjë negociatë dhe asnjë komunikim në funksion të së ardhmes me atë që në funksion të politikes është përfaqësuesi i botës së përtejme”-deklaroi kreu i PS.
Rama më tej tha se pret propozime nga Grupi Parlamentar i PD-së i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj por që nëse nuk çojnë kontribut në tryezën e PS-së do jetë zgjedhja e tyre.
“Është një proces që po e ndjek Komisioni, nuk ka problem afatesh, po ndërtohet procesi. Do presim deri në momentin që duhet të kemi emra. Nëse ata nuk do sjellin asnjë kontribut është zgjedhja e tyre. Nuk do ishte hera e parë. Ndërkohë që ne kur ishim në opozitë kemi dhënë kontributin tonë.”-deklaroi Rama.