Vendosni fjalën kyçe....

Rreth 1 mijë e 500 zyrtarë të të gjitha niveleve u përgjuan nga SPAK, çfarë tha dje Arben Kraja



Për një vit të gjitha prokuroritë në vend kanë përgjuar 3664 shtetas shqiptarë, shifër kjo e cila është bërë e ditur nga Prokuroria e Përgjithshme.

E sipas këtyre të dhënave, rezulton se gati gjysma e tyre u përkasin përgjimeve të kryera nga SPAK.

Kyetari i SPAK-ut Arben Kraja tha dje gjatë një prononcimi për mediet, se Prokuroria e Posaçme Kundër dhe Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë vitit të kaluar ka përgjuar rreth 1500 zyrtarë të të gjitha niveleve.

“Po t’i shohësh statistikat janë më shumë në pjesën që lidhen me korrupsionin dhe krimet që lidhen me korrupsionin, po kuptohet brenda parametrave ligjore që parashikon ligji. Në direktivat e BE rekomandohet SPAK-u që të përdorë sa më shumë hetime proaktive.”-është shprehur ai.

Kështu, në pjesën më të madhe të rasteve në vëzhgimin e agjentëve ishin persona të dyshuar për korrupsion dhe në vendin e dytë shtetas të përfshirë në grupe kriminale që trafikojnë drogë.

Kujtojmë se pas përgjimeve të SPAK-ut gjatë vitit të kaluar, ra në pranga ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe. Ndërsa këtë vit u dërguan në paraburgim ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, si dhe ish-sekretari i përgjithshëm, Alqi Bllako.

Por çështja me e diskutueshme mbetet ajo e Rovena Vodës, ish-zëvendës ministrja e brendshme emri i të cilës u zbardh pas përgjimeve ndaj një grupi trafikantësh. Ish-zyrtarja u vu nën akuzë për ryshfet pasi pranoi një arkë me peshk dhe një telefon, për një punësim në dikasterin ku ajo punonte.