Vendosni fjalën kyçe....

“S’do lëmë asnjë gjallë”- Mali i Zi tronditet nga kërcënimet për bomba në 41 shkolla, ndërpritet mësimi


Ministria e Arsimit në Mal të Zi është alarmuar këtë të mërkurë pasi në 41 shkolla fillore të vendit ka pasur raportime për bombë.

Për shkak të panikut që është krijuar, mësimi është ndërprerë jo vetëm në shkollat ku është ngritur alarmi

Drejtoria e Policisë bëri të ditur se ekipet ndodhen nëpër shkolla dhe po kryhen kontrolle. Tani për tani është konstatuar se në shkollat ​​e Rozhajës nuk ka mjete shpërthyese.

 

Siç shkruajnë mediet malazeze, sot herët në mëngjes janë evakuuar shkollat ​​në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Berane, Bijelo Polje, Kolasin, Herceg Novi, Budva, Cetinje, Andrijevicë, Ulqin, Kotor, Rozhajë. Raporti për bombën ka mbërritur edhe në Komunën dhe në gjykatën e Tivarit.

“Në territorin e shkollës janë vendosur shumë bomba. Ne gjithmonë kemi ëndërruar për hakmarrje. Do marrim hak, do vijmë në shkollë. Ne do të vrasim të gjithë. Askush nuk do të mbetet gjallë. I gjithë qyteti do të rrjedh gjak.”– është mesazhi që kanë marrë një numër i madh shkollash fillore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit, Bojan Knezheviç ka thënë për Radion e Malit të Zi se për shkak të panikut që ka vazhduar, Ministria ka marrë vendim që për sot të ndërpritet mësimi në të gjitha shkollat ​​në Mal të Zi.