Vendosni fjalën kyçe....

Takimi me shefin e OKB-së, Putini përdor Kosovën si argument për arsyet që e çuan në nisjen e luftës


Presidenti rus Vladimir Putin pati të martën një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

Të dy diskutuan mbi situatën në terren të luftës në Ukrainë, me Putinin duke i shpjeguar shefit të OKB-së arsyet e Rusisë për nisjen e operacionit të saj ushtarak kundër vendit fqinj.

E mesa duket Putini ka përdorur Kosovën si argument për nisjen e luftës.

RT shkruan se Putini i tha Guterres-it se lëvizja e Moskës për të njohur republikat e shkëputura të Donetskut dhe Luganskut bazohej në atë që e quan “precedentin e Kosovës”, të krijuar nga një gjykatë e mbështetur nga OKB-ja. Ai shpjegonte se republikat u shfaqën pasi njerëzit që jetonin në lindje të Ukrainës refuzuan Maidanin e vitit 2014 të mbështetur nga Perëndimi.

Putin shtoi se qeveria e Kievit pas grushtit të shtetit vendosi për një zgjidhje ushtarake që çoi në ngecjen tetëvjeçare në Donbass.

“Më kujtohet shumë mirë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili thotë se në ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, një territor i asnjë shteti nuk është i detyruar të kërkojë leje për të deklaruar sovranitetin e tij tek autoritetet qendrore të vendit.”– tha Putin.

Guterres i tha Putinit se vetë OKB-ja ende nuk e njeh ende Kosovën si entitet të pavarur. Putin, megjithatë, u shpreh se precedenti ligjor ekziston ende, pasi Kosova mori njohje të gjerë në Perëndim.

“Shumë shtete në botë, duke përfshirë edhe kundërshtarët tanë në Perëndim, e kanë bërë këtë në lidhje me Kosovën. Kosova është njohur nga shumë shtete. Ky është fakt, nga shumë shtete perëndimore është njohur si shtet i pavarur. Ne bëmë të njëjtën gjë në lidhje me republikat e Donbasit.”– tha Putini, duke shtuar se republikat më pas i kërkuan Moskës ndihmë ushtarake – të cilën Rusia pretendon se e dha në përputhje të plotë me Kartën e OKB-së.

Përveç diskutimit të së drejtës ndërkombëtare dhe bazës ligjore për operacionin ushtarak të Rusisë, Putin dhe Guterres folën dhe mbi situatën humanitare në terren në Ukrainë. Shefi i OKB-së tha se organizata dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ishin të gatshëm të ofrojnë ndihmë në evakuimin e civilëve që thuhet se janë bllokuar së bashku me luftëtarët ukrainas në fabrikën e rrethuar të çelikut Azovstal në qytetin e Mariupol. Putini gjithashtu i tha shefit të OKB-së se ishte “dezinformuar” për korridoret humanitare të ngritura nga Rusia, duke vënë në dukje se më shumë se 100 mijë civilë janë larguar nga Mariupoli përmes tyre.