Vendosni fjalën kyçe....

“Transformojmë Shqipërinë në eksportuese” – Rama takim me kompani të tregut të energjisë në SHBA e BE, e pranishme edhe ambasadorja Kim


Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim te Pallati i Brigatave me një grup kompanish lider në tregun e energjisë në SHBA dhe BE.

Ndërsa publikon videon nga ky takim, Rama shprehet se janë gati për t’u përfshirë në planin për transformimin e Shqipërisë në eksportues neto të energjisë.

 “Pallati i Brigadave – Një grup kompanish lider në tregun e energjisë në SHBA🇺🇸dhe🇪🇺BE, me gatishmërinë për t’u përfshirë në zbatimin e planit ambicioz të transformimit të Shqipërisë në eksportues neto i energjisë dhe kampione e Ballkanit për energjinë.”- shkruan Rama.

E pranishme në takim është dhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku tha se do të nisin diskutimet me aktorët që kanë shfaqur interes për realizimin e projektit, që do të bëjë lidhjen e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë.

“Projekti ynë ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit.

Deri para pak kohësh injektimi i gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP do ishte pritur me shumë skepticizëm.

Sot për shkak të pasojave të krizës energjitike, është e mundur e i zbatueshëm, por dhe celësi fitues i këtij projekti.”– tha Balluku.

Ky projekt sipas saj synon ta kthejë Shqipërinë “si qendër jo vetëm të furnizimit me gaz por si një kontributor në sigurinë energjitike të rajonit e pse jo të Evropës”.