Vendosni fjalën kyçe....

Vendimi për Imerajn poshtëroi standardet e Vettingut


Nga Ylli Manjani

Nuk më surprizoi aspak vendimi i KPA për shkarkimin e malokes Elisabeta Imeraj. Nuk di ta them e meriton apo jo që zonja të ishte ende në sistem. Nuk më ka lidhur puna me të ndaj nuk kam një opinion të drejtpërdrejtë.

Por qartësisht e di që standardi i gjykimit të saj ishte nga më i ulëti i aplikuar. Natyrisht nuk është i vetmi, por tek ky rast ishte i dukshëm. 

Ishte një rast i pastër paragjykimi i bazuar mbi një supozim, sipas të cilit, zonja na paskësh përgjuar një punonjës të ONM-së duke bërë seks në zyrë.

Asnjëherë e në asnjë hallkë të procesit të verifikimit nuk u provua as edhe si indicie një budallëk i tillë. Ashtu siç nuk u mohua kurrë lajmi që në zyrat e ONM bëhej seks.

ONM e gjendur edhe nën presionin që nuk mund ta pranonte që në zyrat e saj bëhej seks, ndërmori disa inkursione të pabesueshme për tu rrëfyer. Sajoi dhe përdori, në procesin e verifikimit të prokurores, letra anonime dhe për më tepër me pretendime absurde dhe lehtësisht të verifikueshme si të pavërteta. Përdori emra fallso dhe një të disekuilibtuar mendore për të bërë ankesa, gjithsesi të rreme, ndaj prokurores.

Me këto sajesa të poshtra dhe tërësisht diletante u kundërshtua edhe vendimi pozitiv i KPK, deri sa sot qartësisht kanë arritur ta rrëzojnë në KPA.

Natyrisht nuk përjashtohen këtu edhe lobe brenda pushtetit që e shfrytëzuan këtë situatë për të larë duart me prokuroren. Në këto lobe futen edhe falls-opozitarë të hetuar nga prokurorja. Qartësisht ka patur më shumë sesa një faktor që kanë ndikuar.

Vetëm llogjika e ftohtë ligjore e bazuar në fakte dhe prova bindëse nuk u përdor!!!

Këtu nuk është në lojë më fati personal i “malokes” Elisabetë, por fati i çdo shqiptari që ka punë apo hall me drejtësinë. 

Nëse ndaj punonjësve të drejtësisë përdoren metoda të tilla gjykimi, mos prisni që drejtësia të ketë standard më të mirë!

E kam neveritur këtë sjellje, për më tepër të aplikuar nga të huaj që duhet të ishin model dhe garanci.

Ky standard është I PAPRANUESHËM!

Kjo reformë po çimenton një rregjim politik antidemokraci!

Asnjë dyshim tashmë.

Le ta lavdërojnë të gjithë ambasadorët e botës, realiteti është ky që po shohim. Po shohim dhe do ta vuajmë edhe kur ambasadorët të mos jenë më këtu.

Jam i keqardhur për të gjithë ata shqiptarë në përbërje të strukturave të vetting që pranojnë të firmosin mbi standarde të tilla.