Vendosni fjalën kyçe....

Balla i doli në mbrojtje Muzhaqit, Kryemadhi i kthehet: Qeveria e Skënderbeut tonë s’ka nevojë për dado


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla pasi mori fjalën e tij në Parlament i doli në mbrojtje ministres për Rininë Bora Muzhaqi, pas përplasjes së kësaj të fundit me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI e quajti ministren gabimisht Bora Buzaqi dhe jo Muzhaqi. Gjë për të cilën kërkoi dhe ndjesë. Ama nuk i kurse kritikat për mungesën e shpresave tek të rinjtë.

Balla iu kthye Kryemadhit duke thënë se lojërat me mbiemrat nuk i shkojnë askujt, ndërsa shtoi se Muzhaqi vjen nga një fis që ka vuajtur shumë nga diktatura.

“E dashur Monikë, jemi kolegë të vjetër, Muzhaqi është mbiemër shumë i madh dhe i uroj Borës si vajzë e re që ta justifikojë mbiemrin që mban dhe do ju kërkoja që askush në këtë sallë të mos keqinterpretojë mbiemrat, loja me mbiemrat nuk i shkon askujt, vijnë nga Muzaka, një fis që ka luftuar për këtë vend, fisi nga vjen e Bora e kanë vuajtur shumë diktaturën.“- tha Balla.

Kryemadhi nuk vonoi të kundërpërgjigjej duke iu drejtuar Ballës se ministrja nuk ka nevojë për dado.

“Qeveria e Skënderbeut tonë, nuk ka nevojë për dado, kush është ministër e çon punën e vet deri në fund, se prandaj janë ministër.”– tha Kryemadhi.