Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka një sfidë për opozitën. Ndërsa fliste nga vendi në Kuvend, Balla falenderoi me ironi opozitën mbi vlerësimin që u bëjnë patronazhistëve duke i përmendur shpeshherë që janë përdorur për zgjedhjet e 25 prillit.
Balla tha se patronazhistët janë gati për zgjedhjet e ardhshme, për të siguruar sërish fitoren e PS-së.
“Është kërkuar sipas nenit 103 në mos gaboj debat për raportimin e komisionerit për të drejtat e informimit. Zoti Dervishi ishte në sallë dhe me përjashtim të disa momenteve, debati nuk ishte fare për çështjen për të cilën ishte kërkuar debati. Dhe jo pa qëllim Kuvendi i Shqipërisë në shumë vite me radhë ka operuar në momentin e paraqitjes së raportit me pyetje-përgjigje.
Pyetje nuk kishte edhe pse ishte kërkuar seancë. E vlerësoj përpjekjen tuaj që u munduat të tërhiqni vëmendje. Në rastin në fjalë po flisnim për raportin e komisionerit dhe këtu një deputete që i ka marrë me radhë të gjitha komisionet, asnjë s’ka lënë dhe i ka marrë të gjitha përgjigjet atje, në momentin që hyri në një çështje tjetër, duhet ndërprerë. Meqë kemi 30 raportime në javët në vijim, le të vendosim një rregull, të respektojmë rregulloren. Shumë faleminderit dhe opozitës për vlerësimin që vazhdoni t’i bëni patronazhistëve, ata janë aty, janë gati dhe po presin vitin e ardhshëm që t’ju mundim prapë sa herë të na dilni para.”- tha Balla.