Vendosni fjalën kyçe....

Kush është Arens Çela – Prokurori i përkohshëm i Tiranës


Tanimë është zyrtare, Arens Çela është emëruar sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Tiranës në vend të Elisabeta Imerajt, kjo e fundit e shkarkuar dje nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Në mbledhjen e sotme urgjente të KLP-së, votimi i Çelës ishte unanim.

“Si pasojë e shkarkimit të drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, znj. Elizabeta Imeraj, nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është mbledhur urgjent për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të kësaj prokurorie.

Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrirerës, Këshilli vendosi unanimisht të miratojë projekt – aktin për ndërprerjen e komandimit të prokurorit Arens Çela, i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku ka emërimin si prokuror. Më pas, me 10 (dhjetë) vota pro, është miratuar projekt –akti për caktimin e përkohshëm të prokurorit Arens Çela, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.”– thuhet në njoftimin e KLP-së.

Po kush është prokurori që do drejtojë Prokurorinë e Tiranës

Arens Çela ka përfunduar studimet në shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas kësaj është emëruar prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Gjatë karrierës së tij ai ka drejtuar Prokurorinë e Beratit dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në janar 2020, Çela u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si ndihmësmagjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme.

Vettingu

Në procesin e rivlerësimit ndaj prokurorit Arens Çela janë theksuar dy momente, një në kriterin e profesionalizmit dhe tjetri për sa i përket pasurisë.

Kriteri profesional

Arens Çela është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 23 mars 2021. Gjatë procesit të rivlerësimit ndaj tij u ngritën pyetje mbi kërkesën e tij për zbutje të akuzës ndaj një bashkëshorti, të dënuar më pas nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për tentativë vrasje të gruas me 22 vite burg.

Bëhet fjalë për një shtetas nga Fushë Kruja i akuzuar se kishte sulmuar me levë nënën e fëmijëve të tij, pasi ajo e kishte denoncuar për të disatën herë në polici se e dhunonte. Çela i ka kërkuar gjykatës dënimin e Doçit për dhunë në familje. Ndryshe nga kërkesa e prokurorit, gjyqtarja e ka riklasifikuar veprën penale në tentativë vrasje, duke e dënuar të pandehurin me 22 vite burg. Për rastin e Doçit, prokurori Çela është mbrojtur duke theksuar ‘bindjen e brendshme’ dhe rrethanat e rastit.

Kriteri i pasurisë

Lidhur me hetimin e pasurisë KPK-ja vuri në dukje se gjatë hetimit ishin gjetur bilance negative në total prej 540 mijë lekësh, që lidheshin me konsiderimin ose jo si të ligjshëm të pasurisë së prindërve të Çelës, të cilët i kishin dhënë dy hua. Sipas KPK-së prindërit e tij nuk kanë pasur të ardhura për huanë prej 5 mijë euro në vitin 2008 dhe se ky burim nuk ishte marrë në konsideratë në analizën financiare, duke e nxjerrë Çelën me një bilanc negativ prej 540 mijë lekësh.

Çela është mbrojtur duke kërkuar rillogaritje të shpenzimeve të familjes për tre pjesëtarë dhe jo katër, pasi ai vetë kishte qenë i shkëputur që prej kohës kur kishte filluar shkollën e magjistraturës dhe shpenzimet e tij ishin llogaritur më vete. Çela po ashtu kërkoi rikonsiderimin e të ardhurave të familjes së prindërve duke marrë parasysh shitjen e dy apartamenteve para se të jepej huaja.

Në muajin shkurt, bashkëshortja e Arens Çelës, gjyqtarja Arbena Ahmeti, u propozua si anëtare e Gjykatës së Lartë nga radhët e Gjykatës Administrative. Ahmeti është konfirmuar në detyrë në nëntor 2021./Hashtag.al