Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama kanë uruar zgjedhjen e Dritan Abazoviç si Kryeministër i Malit të Zi.
“Urime të përzemërta dhe shumë suksese z.Dritan Abazoviç për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryeministrit të Malit të Zi.
Shpresëplotë se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të popujve tanë.
Progresi i Malit të Zi dhe avancimi në proceset integruese janë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje, për të ardhmen e përbashkët europiane, si edhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë”-shkruan Meta.
Rama në urimin e tij përmend se tashmë në Ballkan janë 3 kryeministra Shqiptarë.
“I lumtur që Dritan Abazovic është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë Urime dhe sukses Dritanit, për Malin e Zi e për krejt rajonin tonë”-shkruan Rama