Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të kryejë një rihapje të dytë të ankandit të obligacioneve 15 vjeçare.
Vendimi duket se lidhet me vështirësitë në sigurimin e shumave të planifikuara të huamarrjes nëpërmjet instrumenteve të tjerë gjatë dy muajve të fundit.
Obligacionet 15 vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare dhe u emetuan për herë të parë në nëntor 2021. Ankandi i nëntorit 2021 kishte qëllim testimin e tregut, që reagoi mjaft pozitivisht.
Nga një miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë mbi katër herë më të lartë, gjithsej 4.295 miliardë lekë, ndërsa kuponi i obligacionit rezultoi 5.88%.
Pjesëmarrja e lartë dhe normat e favorshme të interesit bënë që Ministria e Financave ta rriste vlerën e obligacioneve të shitura edhe me 150 milionë lekë të tjera, për një huamarrje totale prej 1.15 miliardë lekësh. Kërkesa e lartë që shfaq tregu e nxiti Ministrinë e Financave të organizonte dhe një rihapje të këtij ankandi, në muajin shkurt të këtij viti.
Në rihapjen e muajit shkurt, nga dy miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur e obligacioneve për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale me vlerë 3.44 miliardë lekë. Në ankand u paraqitën 64 kërkesa konkurruese, nga të cilat u pranuan 41 të tilla.
Yield-i i obligacionit rezultoi në nivelin 5.84%, Pjesëmarrja e lartë dhe normat e favorshme të interesit bënë që Ministria e Financave sërish të pranonte kërkesa për një shumë edhe më të lartë se ajo e shpallur, gjithsej 2.3 miliardë lekë.
Obligacionet 15 vjeçare mund të një alternativë interesante, sidomos për investitorët institucionalë që synojnë rritjen e kthimeve të portofolave afatgjata. Në tregun shqiptar, investitorët më tipikë të këtij lloji janë fondet e pensionit dhe ato të investimit.
Megjithëse ankandi fillestar i nëntorit 2021 dhe rihapja e muajit shkurt rezultoi e suksesshme, kushtet e tregut së fundmi kanë ndryshuar ndjeshëm dhe pasiguria rreth investimeve afatgjata është rritur.
Lufta që shpërtheu në Ukrainë i zhvendosi edhe më shumë në rritje projeksionet inflacioniste dhe bëri që disa banka qendrore, përfshi këtu Bankën e Shqipërisë, të ndërhynin më shpejt se parashikimet për të rritur normat e interesit.
Normat e interesit kanë shfaqur një tendencë të qartë në rritje, ndërkohë që pjesëmarrja e investitorëve në ankande ka qenë më e ulët. Ekspertët e shpjegojnë marrjen e pozitave pritëse pikërisht me pritshmëritë se normat e interesit do të rriten më shumë në të ardhmen.
Për këtë arsye, tentativa e re Ministrisë së Financave për të nxjerrë në shitje obligacionet 15 vjeçare mund të rezultojë më pak e suksesshme, ndërsa yield-et me shumë të ngjarë do të jenë më të larta se ato të ankandeve të mëparshme. /E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor