Uashingtoni nuk do të kundërshtonte që Ukraina të deklarohej një vend i papërfshirë e asnjanës, sipas dëshmisë së Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në Senat të martën.
SHBA-ja kërkon të armatosë Ukrainën për të forcuar ‘dorën’ e saj në tryezën e negociatave, por nuk mund të jetë ‘më ukrainase se ukrainasit’ dhe vendimi përfundimtar do të jetë në dorë të Kievit, tha Blinken.
Kriza në Ukrainë, të cilën Blinken e vizitoi gjatë fundjavës me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, dominoi seancën dëgjimore të së martës para Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për buxhetin e Departamentit të Shtetit për vitin 2023.
Në një moment, senatori Rand Paul (Republikan-Kentucky) shprehu shqetësimin e tij se ukrainasit ‘po shtyheshin dhe nxiteshin nga gjysma e anëtarëve të Senatit që i duan ata në NATO’ dhe se përndryshe ata mund të kishin rënë dakord për asnjanësi, siç kishte kërkuar më herët Moska.
I pyetur nga Paul nëse SHBA-të do të pranonin që Ukraina të bëhej një shtet asnjanës dhe jo një anëtar i NATO-s, Blinken la të kuptohej se Uashingtoni mund ta bënte këtë.
“Ne, senator, nuk do të jemi më ukrainas se ukrainasit. Këto janë vendime që duhet të marrin ata.” – i tha ai Paul. Qëllimi i ndihmës së tanishme ushtarake të SHBA-së për Ukrainën është t’i japë Kievit aftësinë për të ‘zmbrapsur agresionin rus’ dhe ‘të forcojë dorën e tyre në një tryezë të mundshme bisedimesh’, shtoi Blinken.
Duke pretenduar se SHBA-ja ‘nuk ka parë asnjë shenjë deri më sot’ se presidenti rus Putin është ‘serioz në lidhje me bisedimet kuptimplota’, Blinken tha se ‘nëse ai vjen kësaj rruge dhe nëse ukrainasit përfshihen, ne do i mbështesim ata’.
Disa në Moskë besojnë se SHBA dhe Britania e Madhe kanë ndikuar që Kievi të tërhiqet nga bisedimet me premtime për mbështetje, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në një intervistë televizive të hënën. Ai tha gjithashtu se përpjekja për të negociuar drejtpërdrejt me SHBA-në dhe NATO-n nuk dha rezultate, pasi ata dëgjuan shqetësimet ruse dhe më pas i injoruan ato.
Të martën, Blinken pretendoi se SHBA-ja i kishte marrë ‘shumë seriozisht’ shqetësimet e sigurisë së Rusisë dhe ‘kërkoi të angazhohej’ me Moskën, dhe mohoi që bisedat për anëtarësimin e Kievit në NATO mund të kenë luajtur ndonjë rol në përshkallëzimin e armiqësive në Ukrainë.
Ndërsa kreu i Departamentit të Shtetit po fliste me Senatin, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ishte në Gjermani duke organizuar aleatët e SHBA-së për të dërguar më shumë armë në Kiev. Duke folur me gazetarët pas takimit në Ramstein, Austin tha se mund ta shihte Ukrainën që përfundimisht t’i bashkohej NATO-s.