Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa shpjegon incidentin me ministren Margariti: Falë Zotit etikën e ruajta


Deputetja demokrate Ina Zhupa ka shpjeguar incidentin që pati dy ditë më parë gjatë sherrit në Komision me ministren Elva Margariti.

Zhupa theksoi se mikrofoni përdoret vetëm kur je në zbatim të rregullores dhe jo në shkelje të saj. Por ministrja Margariti sipas deputetes, ishte në shkelje të rregullores.

 “Në zbatim të rregullores së Kuvendit, mikrofoni në seanca dhe në komisione përdoret kur je në zbatim të rregullores dhe jo në shkelje të saj. Në rastin e ministres Margariti, po përdorte mikrofonin në shkelje të rregullores dhe në shpërdorim të interesit publik në komisionit. Falë Zotit etikën e ruajta.” – tha Zhupa duke iu referuar incidentit në Komision ku i hoqi ministres mikrofonin (lexo këtu).

Ky koment i saj, vjen pasi ministrja Margariti ia përmendi incidentin gjatë fjalimit të saj në Kuvend. Sipas saj, Zhupa dha një spektakël të shëmtuar në Kuvend, ndërsa theksoi se Butrinti nuk do të jepet me koncesion, por po kthen kokën drejt Evropës dhe Botës.

“Përgjatë seancës dëgjimore na u srevir spektakël i shëmtuar. Nuk do të doja të vishja kostumin publik duke abuzuar me votën e dhënë nga komuniteti. Më vjen keq që është abuzuar me kostumin publik dhe është harruar që ne jemi shembulli publik.

Ne jemi nëna, gra, motra. Duhet të paraqesim qytetari. Nuk kemi parë gra që shkulin mikrofona dhe gjuan me grushte. Kjo më rëndon si grua. Jam mirënjohëse që vendosëm theksin te qytetaria, kultura. Të mos trillojmë, jemi të veshur me kostum politik dhe duhet të jemi transparent. Nuk po jepet Butrinti me koncesion. Butrinti po kthen kokën drejt Evropës, Botës. Koha do e tregojë, por do ia tregojë atyre që nuk dinë të shohin ëndrra në diell.”– tha Margariti.

Deputetja Zhupa akuzon qeverinë se po jep Butrintin me koncension përmes një marrëeshjeje sekrete dhe se për këtë marrëveshje nuk është marrë mendimi i asnjë eksperti shqiptar.