Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas lajmeve se një anije ushtarake është përfshirë nga flakët në Vlorë.
Në një njoftim për mediet, ministria thotë se lajmi nuk është i vërtetë duke publikuar edhe pamjet, por thekson se bëhej fjalë për një stërvitje rutinë të anijeve të klasit “Iliria” të Forcës Detare shqiptare në Gjirin e Vlorës.
“Lidhur me disa video të publikuara në disa media dhe rrjete sociale ku pretendohet përfshirja nga flakët e një anijeve në det, Ministria e Mbrojtjes dëshiron të sqarojë opinionin publik se bëhet fjalë për një stërvitje rutinë të anijeve të klasit ‘Iliria’ të Forcës Detare shqiptare në Gjirin e Vlorës.
Episodi i shfaqur në video është pjesë e skenarit në rastet kur bie zjarr në bordin e një mjeti lundrues dhe anijet e Forcës sonë Detare angazhohen për të shuar flakët.
Rasti i fundit i angazhimit të anijeve të Forcës sonë Detare në një operacion për shuarjen e flakëve në një mjet lundrues në det të hapur ka ndodhur vetëm në muajin shkurt të këtij viti në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë.”– thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.