Vendosni fjalën kyçe....

Autoriteti i Konkurrencës do të hetojë Vodafone për abuzim me pozitën dominuese


Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim paraprak ndaj kompanisë Vodafone Albania, lidhur me dyshimet për abuzim me pozitën dominuese në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.

Tregu i terminimit nënkupton tarifat që operatorët i paguajnë njeri-tjetrit për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve respektive.

Shkak për hapjen e procedurës hetimore është bërë një ankesë e paraqitur në këtë institucion vitin e kaluar nga shoqëria Neofone, një operator i autorizuar nga AKEP për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve nga rrjetet fikse. Konflikti mes Neofone dhe Vodafone Albania e ka zanafillën në vitin 2015, kur Vodafone rriti tarifën për terminimin e thirrjeve ndërkombëtare të tranzituara nga operatori Neofone nga 6.2 lekë për minutë në vlerën 29.8 lekë për minutë. Pasi Neofone kundërshtoi tarifën e re, Vodafone ndërpreu aksesin në shërbimin që i ofronte.

Prej atëherë, Neofone ka nisur një betejë ligjore që ka përfshirë edhe ankesa në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe padi në Gjykatën Administrative. Objekti kryesor i ankesave ka qenë detyrimi i AKEP për të ndërhyrë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për të detyruar Vodafone të negocionte një tarifë më të arsyeshme. Por, në të gjitha rastet AKEP i ka refuzuar ankesat e Neofone, duke argumentuar se Vodafone Albania nuk ka statusin e Operatorit me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT) për terminimin e thirrjeve hyrëse ndërkombëtare dhe AKEP nuk mund ta detyrojë të lidhë marrëveshje aksesi/interkonkesioni me një operator tranzitues për terminimin e këtyre thirrjeve dhe as të rregullojë tarifën e shërbimit, përfshirë në procedura zgjidhje mosmarrëveshjeje.

Në fakt, tregu i terminimit të thirrjeve ndërkombëtare është një nga ccështjet që ka ngritur më shumë dilema në rregullimin e tregut të telekomunikimeve elektronike. Prej afërsisht një dekade, AKEP e ka hequr këtë treg nga rregullimi dhe përcaktimi i tarifave mund të bëhet vetëm në marrëveshje mes operatorëve të përfshirë.

Përkohësisht, në tetor 2018, Këshilli Drejtues i AKEP e vendosi sërish tregun në fjalë nën rregullim. Të tre sipërmarrësit Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom u shpallën OFNT në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe u vendosën masat përkatëse rregullatore për detyrimin e mosdiskriminimit dhe detyrimin e transparencës. Por, në mënyrë të çuditshme, një muaj më vonë, në nëntor 2018, vendosi shfuqizimin e vendimit të marrrë dhe heqjen e këtij tregu nga rregullimi. Në këtë vendim të dytë, AKEP vendosi nisjen e procedures për rikryerjen e analizës për tregjet përkatëse, si dhe të tregjeve të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke garantuar harmonizim dhe përputhshmëri me legjislacionin e Komisionit Europian.

Në përfundim të konkluzioneve të analizës së fundit të tregut, në qershor 2020, AKEP konfirmoi qëndrimin për mosrregullimin e tregut të terminimit ndërkombëtar të thirrjeve ndërkombëtare. Megjithatë, AKEP u shpreh se do të mbajë në vëzhgim këtë treg, deri në plotësimin e tërësisë së kushteve për ndërmarrjen e një analize të re. Në vendimin e AKEP thuhet se përftimi i modelit të kostove dhe për rrjedhojë i një mekanizmi eficient njësimi tarifor do të mundësojë në momentin më të përshtatshëm një analizë të plotë rregullatore, për sa i takon terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare.

Lidhur me këtë çështje, AKEP nuk ka pranuar rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës që, mes të tjerash, kërkonte që AKEP të merrte masa për shmangien e subvencionimit nga të ardhurat e realizuara në tregun e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare nga operatorët me FNT në tregun e shitjes me pakicë, duke aplikuar tarifa nën kosto. Në thelb, Autoriteti i Konkurrencës argumenton se tregu i terminimit ndërkombëtar duhet rregulluar, për të mos lejuar shtrembërimin e konkurrencës në tregjet e tjerë, përfshi tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Deri tani, AKEP nuk ka njoftuar kryerjen e analize të re të tregut dhe as ndërmarrjen e afërt të masave të reja rregullatore për tregun e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.

Në këto kushte, Nefone e ka zhvendosur betejën ligjore me Vodafone në Autoritetin e Konkurrencës, duke kërkuar që ky institucion ta hetojë operatorin më të madhe celular për abuzim me pozitën dominuese. Autoriteti i Konkurrencës e ka pranuar këtë kërkesë dhe nisur procedurën e hetimit paraprak, që do të përfshijë periudhën kohore nga 10 prill 2015 deri në 31 dhjetor 2021.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al