Vendosni fjalën kyçe....

Eksperti i të Drejtës Ndërkombëtare pas deklaratës së Putinit: Kosova s’është Donbas


Ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare, Matthias Hartwig ka komentuar deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin i cili e krahasonte situatën në Donbass me Kosovën.

Eksperti me bazë në Gjermani në një intervistë për Radion Evropa e Lirë është shprehur që një shtet mund të ekzistojë nëse përmbush tri elemente: territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe kapacitetin udhëheqës.

“Të tria këto elemente, Kosova i plotëson.”- thotë ai. “Në rastin e pjesës lindore të Ukrainës, Rusia dëshiron të formojë një shtet që nuk ekziston, pasi ai është pjesë e një shteti tjetër dhe kjo përbën ndërhyrje të madhe në sovranitetin e një shteti.”

Po ashtu eksperti i njohur beson se rasti i Kosovës është krejtësisht i ndryshëm edhe me Krimenë.

Lidhur me këtë të fundit, Hartwing ndan të njëjtin qëndrim me profesorin Richard Caplan, i cili thotë se popullsia e Krimesë nuk ka qenë “në rrezik” para se të aneksohej nga Rusia.

“Ekzistojnë dallime të mëdha sa i përket trajtimit të popullsisë. Kosovarët kanë qenë nën presion të madh nga Qeveria serbe. Në Krime nuk ka pasur situata të tilla.”– thotë Hartwig, i cili është një hulumtues i lartë në Institutin Max Planck në Gjermani.

Kujtojmë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pas sulmit në Ukrainë ka njohur si shtete të pavarura dy rajonet separatiste të këtij vendi, Donjeckun dhe Luhanskun.

Këtë ai është përpjekur ta justifikojë këtë javë, duke tërhequr paralele me Kosovën.