Vendosni fjalën kyçe....

“NATO e gatshme të mbështesë Ukrainën për luftën që mund të zgjasë me muaj apo vite” – Stoltenberg


NATO po përgatitet të mbështesë Kievin ‘për një periudhë të gjatë kohore’, për aq kohë sa konflikti ushtarak në Ukrainë do të zgjasë ‘për muaj apo vite’, tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Duke folur në një samit të të rinjve në Bruksel, Stoltenberg tha se është në duart e presidentit rus Vladimir Putin të ndalojë aksionin ushtarak pasi ishte ai ‘që filloi luftën’. Prandaj, tha Stoltenberg, vendet perëndimore do të vazhdojnë ‘të ushtrojnë presion maksimal ndaj Presidentit Putin për t’i dhënë fund luftës’ duke sanksionuar Moskën dhe duke ofruar mbështetje ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.

“Është një situatë shumë e paparashikueshme dhe e brishtë në Ukrainë, por ekziston absolutisht mundësia që kjo luftë të zvarritet dhe të zgjasë me muaj e vite”, shpjegoi kreu i NATO-s.

Duke marrë parasysh këtë fakt, aleanca dhe aleatët e saj ‘po përgatiten të ofrojnë mbështetje për një periudhë të gjatë kohore dhe gjithashtu të ndihmojnë Ukrainën që të kalojë nga pajisjet e vjetra të epokës sovjetike në armë dhe sisteme më moderne të standardeve të NATO-s’, tha Stoltenberg.

Ai theksoi se një kalim i tillë kërkon stërvitje shtesë për forcat ukrainase dhe bashkërendim më të mirë të përpjekjeve midis vendeve që mbështesin Kievin. Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin pranoi se, duke ndihmuar Kievin, Uashingtoni donte të shihte ‘Rusinë të dobësuar në atë masë sa nuk mund të bëjë ato gjëra që ka bërë në pushtimin e Ukrainës’.

Moska e ka paralajmëruar vazhdimisht Perëndimin kundër ‘pompimit’ të Ukrainës me armë, duke argumentuar se veprime të tilla do të çonin vetëm në një zgjatje të veprimeve ushtarake dhe do të krijonte probleme të gjata në të ardhmen. Kremlini gjithashtu e bëri të qartë se çdo dërgesë e pajisjeve ushtarake do të konsiderohej një objektiv legjitim sapo të kalonte në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha gjithashtu se Ukraina do të mbetet ‘një partner shumë i vlerësuar i NATO-s’ dhe kështu aleanca do të mbështesë ‘dëshirat euro-atlantike’ të Kievit. Megjithatë, Stoltenberg e bëri të qartë se çdo negociatë konkrete në lidhje me ofertën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO do të ishte e mundur vetëm kur të përfundojë konflikti ushtarak.

Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO dhe zgjerimi i aleancës drejt lindjes janë cilësuar nga Moska si një nga arsyet kryesore për nisjen e operacionit të saj ushtarak. Rusia i sheh zhvillime të tilla si kërcënime të drejtpërdrejta për sigurinë e saj dhe këmbëngul në një status asnjanës për Ukrainën.