Deputeti demokrat Edi Paloka ka folur në lidhje me “peticionin online” kundër ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.
Ndërsa ishte i ftuar në programin “Të Paekspozuarit”, çështja u ngrit nga aktivisti Ergys Mërtiri i cili tha se pas peticionit qëndron ish-kryeministri Sali Berisha.
Por kjo gjë u hodh poshtë nga Paloka. Ai tha se Berisha është pro peticionit, po ashtu edhe ai që e ka firmosur me bindje të plotë, por asnjëri prej tyre nuk e ka bërë peticionin.
“Ja gënjeshtra. Mendimi ndryshe është një gjë tjetër dhe shpifja është një tjetër gjë. KAnë dalë vetë ata që e kanë bërë dhe e kanë pranuar.
As nuk i ka shkuar në mendje Berishës. Se ca ka Berisha dhe se çfarë kemi ne e kemi thënë hapur dhe e themi çdo ditë, pse duhet të bëjmë peticione fshehtas. Ne i themi këto përditë.
Berisha nuk është kundër këtij peticioni është pro, por nuk e ka bërë ai. Edhe unë e kam firmosur këtë peticion. E kam firmosur, por nuk e kam bërë unë. Ai peticion e lexova me kujdes të jem i sinqertë mos kishte ndonjë lajthitje, nuk kishte asnjë lajthitje dhe më pëlqeu që ishte aq i kuruar dhe jam dakord se ishte njësoj sikur e kisha bërë unë. Por nuk kemi lidhje fare me atë peticion. Unë mendoj plotësisht ashtu edhe e firmosa me bindje të plotë, por nuk kemi lidhje. Kjo pjesa që e kemi bërë ne është shpifje. Unë po them të vërtetën. Po ta kishim bërë ne nuk kemi pse e fshehim, është mendimi ynë aty.”– tha Paloka.