Vendosni fjalën kyçe....

Rama inspekton kantierin e Aeroportit të Vlorës: S’e bëni dot më shpejt


Kryeministri Edi Rama po inspekton nga afër kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku si dhe biznesmeni Behgjet Pacolli, njëkohësisht ish-president i Kosovës.

Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se ky aeroport do të ketë pistën më të madhe ajrore në vend.

“Kontrata për dorëzimin është prill 2024 besojmë që koncensionari me ritmet që po punon sot jemi besimplotë që do ta kapë afatin. Kjo do jetë pista më e gjatë në Shqipëri, aeroporti i vetëm që akomodon dhe fluturimet transoqeanike.”- tha ministrja.

Rama e pyeti ministren: “A nuk e bëni dot më shpejt?”

Balluku iu përgjigj se “Më shpejt nuk e bën dot, por në prill të 2024-ës. Janë të gjitha pjesë e pistës.”

Sipas Ramës, kjo është “vepra që do të transformojë më tej industrinë e turizmit dhe do të rrisë ndjeshëm ekonominë e punësimin”.

Ministrja Balluku theksoi ndërtimi është jashtë zonës së mbrojtur e s’do ketë asnjë ndikim negativ mjedisor.

“Këtu kemi pasur proces shumë të gjate me dëgjesa kemi kryer veprimtaritë që duheshin për lejen mjedisore. Kjo është zonë lagunore, ku ka disa specie zogjsh por ne i kemi marrë masat e kemi bërë procesin si kërkohet nga BE. Kjo është zonë ushtarake, pistë natyrale, nuk është zonë e mbrojtur. Nuk kemi pasur asnjë pjesë të futur në zonën e mbrojtur, dua ta sqaroj këtë se ka pasur insinuata disa herë mbi këtë çështje. Eshtë jashtë zonës së mbrojtur e s’do ketë asnjë ndikim negativ mjedisor.”- theksoi ajo.