Vendosni fjalën kyçe....

Rritet çmimi i naftës, më i larti që prej krijimit të Bordit


Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve, ku vihet re një rritje e ndjeshme e tyre.

Kështu nga sot, një litër naftë do të tregtohet me 243 lekë, nga 233 lekë që ishte deri sot.

Po ashtu është rritur edhe benzina, që do të tregtohet me 223 lekë, nga 213 lekë që ishte deri tani.

Ndërkohë gazi është rritur me dy lekë për litër, në 106 lekë.

Ky është niveli më i lartë i çmimeve që prej krijimit të Bordit të Transparencës.

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 29.4.2022

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 29 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 29.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
• 231 Lekë/litri për gazoilin;
• 211 Lekë/litri për benzinën;
• 94 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 29.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
• 243 Lekë/litri për gazoilin;
• 223 Lekë/litri për benzinën;
• 106 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 29.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.