Vendosni fjalën kyçe....

“Të ruajmë krapin”- Ministrja Krifca njofton vendimin e rëndësishëm për sektorin e peshkimit


Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca njoftoi sot një vendim në lidhje me ruatjen e niveleve të kapjes së peshkut krap.

Në një konferencë për mediet, Krifca tha se në Këshillin e Ministrave kanë marrë një vendim për të mos lejuar peshkimin në liqene këtë periudhë pasi krapi ka periudhën e shumimit.

“Sot bujqësia ka miratuar një vendim për sektorin e peshkimit për të ruajtur nivelet peshkore të të gjithë liqeneve dhe detërave tona në mënyrë që flota e peshkimit të respektojë dhe masat biologjike të peshkimit.

Ky është vendim në përputhje me politikën europiane të peshkimit sa i përket ruajtjes dhe vënies në dispozicion të niveleve të rendimentit të qëndrueshëm për të zvogëluar zëniet e padëshiruara. Jemi në një sektor që ka pasur rritje të vazhdueshme, i rëndësishëm për nivelin e punësimit, për rritjen e eksporteve, kështu që do ta mbështesim dhe me një kuadër ligjor të nevojshëm që përafron nevojat e sektorit me BE por ruan mjedisin, ekologjinë dhe sistemet biologjike që të kemi mundësinë të shfrytëzojmë pasurinë tonë natyrore në përputhje me zhvillimit.

Dua të përmend dhe një urdhër të dalë nga Ministria e Bujqësisë për ruajtjen e niveleve për zënien e krapit që është përmendur dhe në media. Është urdhër normal i çdo viti për të mos peshkuar në liqenet ku krapi ka tani periudhën e shumimit, kjo bëhet për të ruajtur ekosistemin tonë detar.”- tha Krifca.