Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Nesër në pushtet, do zhdukim pasojat katastrofike të reformës së dështuar në drejtësi


Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë premtime mbi atë që do sjellë Partia Demokratike nëse vjen në pushtet.

Sipas tij, Shqipëria do të bëhet vendi me taksat më të ulëta në rajon, do rivendoset shteti ligjor, do vendoset siguria ligjore për një shoqëri të lirë, për të pasur treg të lirë, investime, për të ecur në procesin e integrimit. Ai u zotua se do të zhdukë pasojat katastrofike të” reformës së dështuar” në drejtësi dhe do ngrejë përinstitucione më të mira europiane e amerikane.

“Po sot do thoni ju, nga do e nisim? Përsëri do e nisim nga liritë e të drejtat njerëzore se këto vite ato njohën trysnitë më të mëdha, dhunimet më të thella. Mos harroni se përsëri shqiptarët e lirë në një mënyrë apo tjetër e gjetën veten në mbretërinë e frikës.

Banda, vrasës, pengmarrës u rekrutuan në Polici, po ne si opozitë ku ishim? Nuk u dolëm Zot shqiptarëve, kjo merr fund ne do jemi aty ku do shkelet çdo e drejtë e qytetarëve shqiptarë, aty ku dhunohet e drejta lind protesta, qëndresa.

Apatia e opozitës merr fund. Nuk ka liri e të drejta të garantuara pa shtet ligjor, pa sistem drejtësie. Sot shteti ligjor është inekzistent.

Sot drejtësia e tëra në kontroll të ekszekutivit. Ajo që na serviret si sukses reformë, u grumbulluan dosje sa duhen 120 vite për t’i shqyrtuar.

Sot ryshfeti për të afruar dosjen në një afat të pranueshëm është më i lartë se kurrë në historinë e këtij vendi përndryshe drejtësi nuk merr.

Ne zotohemi nesër në pushtet me institucionet më të mira europiane e amerikane do bëjmë gjithcka të zhdukim sa më parë pasojat katastrofale të kësaj reforme të korruptuar,
të rikthejmë ligjin, të drejtën e shqiptarëve për proces të ndershëm gjyqësor. Të rivendosim shtetin ligjor, sigurinë ligjore për të pasur një shoqëri të lirë, për të pasur treg të lirë, investime, për të ecur në procesin e integrimit.

Sot 50% e shqiptarëve lëngojnë në varfëri, mjerimi apo varfëria ekstreme është rritur 3-4 herë. Pagat pensionet janë bërë qesharake. Me të drejtë se cili prej jush e cdo demokrat e demokrate shtrojnë pyetjen po si do e ndryshoni ju këtë gjendje kaq të rëndë?

Përgjigja është vetëm një: ne këtë gjendje do e ndryshojme e japim fund se së pari do ndezim motorët e entuziazmit të tregut, sollëm tregun e lirë mos harroni se 30 vite më parë vendosëm taksën më kryesore të vlerës së shtuar, të dytën më të ultën në botë.
Ne jemi parti e taksave të ulta. Rruga më e sigurtë e rritjes së të ardhurave është ulja e taksave, i garantoj se Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulta në Evropë.”– tha Berisha gjatë fjalës së tij përpara delegatëve në Kuvendin Kombëtar të PD-së.