Vendosni fjalën kyçe....

Deputeti britanik në Kuvendin e PD-së: PD sot po sfidon versionin e ri të komunizmit


Në Kuvendin Kombëtar të PD-së kanë marrë pjesë dhe miq të huaj, mes tyre lordi James Wharton, i cili është një deputet britanik dhe ish-shef i fushatës së kryeministrit aktual të Britanisë së Madhe Boris Johnson.

Gjatë fjalës së tij, Lordi Wharton tha se partitë konservatore duhet të punojnë së bashku për t’u përballur me sfidat e botës moderne. Ai u shpreh se partia e sotme po sfidon versionin e ri të komunizmit shtypës të së shkuarës.

“Është një kënaqësi e vërtetë të jem këtu. Faleminderit për ftesën. Faleminderit për punën që jeni duke bërë për të promovuar vlerat e konservatorizmit, faleminderit për punën që keni bërë në partinë tuaj, në ballë të luftës që ta çoni vendin tuaj përpara.

Është e detyrueshme që partitë konservatore të punojnë së bashku për t’u përballur me sfida të cilat vijnë nga bota moderne.
Ne duhet të fuqizojmë punën tonë, në mënyrë që të zbatojmë dhe sjellim vlerat tona. kemi pasur plot sfida. Kemi 12 vite në qeveri. Përpara disa viteve ishim në opozitë, kishim përçarje dhe probleme me udhëheqjen e partisë sonë. Kisha fat që të isha udhëheqës i fushatës së kryeministrit Boris Johnson.

Ne ecëm përpara, ne e rinovuam partinë tonë, gjetëm mesazhe të cilat lidheshin me njerëzit. Partia Konservatore fitoi shumicën e votave.
Kandidatët dhe deputetët duhet të jenë të aksesueshëm për njerëzit e thjeshtë. Të jenë konsistentë që t’u transmetojnë njerëzve të njëjtat vlera të partisë.
Kënaqësi që të shoh që kjo parti është duke rigjetur këto vlera dhe ka për të ecur përpara në mbështetje të këtyre vlerave. Ne duhet të mësojmë nga njëri-tjetri në këtë botë moderne në të cilën jetojmë. Duhet të kemi një platformë, e cila duhet t’i përshtatet kohës. Ju jeni duke punuar me sinqeritet që të krijoni një platformë të tillë, që të keni një zhvillim të tillë. Ju do rivendosni bashkimin dhe do nisni një të ardhme më të mirë. Ndërkohë që kjo partia e ditës së sotme është duke sfiduar versionin e ri të komunizmit shtypës të së shkuarës. Ju keni një histori shumë të mirë si t’i kaloni këto vështirësi. Keni mbështetjen e shumë miqve përreth Europës dhe botës.”– deklaroi lordi Wharton.