Vendosni fjalën kyçe....

Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit reagon për debatin mbi Parkun e Butrintit: Do e kthejmë në një qendër model të menaxhimit, do investojmë edhe 5 mln dollarë


Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) ka reaguar lidhur me debatet për Parkun Kombëtar të Butrinit i cili sipas një marrëveshje do menaxhohet në bashkëpronësi me qeverinë shqiptare.

AADF në një reagim për shtyp thotë se ka qenë aktiv në Butrint që nga viti 2009 dhe se ka kontribuar 1.2 mln dollarë për menaxhimin e tij deri më tani.

Gjithashtu në fazën tjetër do kontribuojë edhe me 5 mln dollarë duke e kthyer në një model të qendrueshëm zhvillimi Parkun e Butrintit.

“AADF ka qenë aktiv në Parkun Kombëtar të Butrintit që nga viti 2009. Qëllimi ynë është të mbështesim ruajtjen, promovimin dhe menaxhimin e Butrintit si zona më e rëndësishme e trashëgimisë shqiptare.

Në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë, institucionet shqiptare dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, Fondacioni ka sjellë në Butrint një nga modelet më të suksesshme të trashëgimisë kulturore. AADF ka kontribuar 1.2 milionë dollarë për instalimin e kamerave, infrastrukturës turistike dhe tabelave, rehabilitimin mjedisor të rrugës së re, sistemet e biletave elektronike dhe zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar. Falë këtyre ndërhyrjeve sajti ka pasur rritje të të ardhurave, më shumë transparencë, më pak korrupsion dhe një cilësi më të lartë shërbimesh.

Faza e dytë e angazhimit të AADF ndaj Butrintit synon mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e zonës për një afat të gjatë. AADF mbështeti Planin e Menaxhimit të Integruar (PMI), i cili iu dorëzua për konsultim Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO). PMI u rishikua nga organet konsultative të UNESCO-s, ICOMOS dhe ICCROM, dhe u miratua nga Qeveria e Shqipërisë.

Pronësia dhe kontrolli përfundimtar mbi Butrintin, si në të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, mbetet i pandryshuar. Plani ofron një arkitekturë për të mbrojtur parkun, për të promovuar transparencën dhe garanton që të ardhurat të përdoren për zhvillimin e zonës në përputhje me standardet e një Vendi të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Pas miratimit të PUN-së nga Qeveria e Shqipërisë, AADF do të kontribuojë me 5 milionë dollarë të tjera, në mënyrë që Parku Kombëtar i Butrintit të njihet: “…si një model i qëndrueshëm menaxhimi për sitet me elementë kulturorë dhe natyrorë, duke e kthyer në qendër për rajonin dhe për tu ofruar vizitorëve një eksperiencë unike, duke angazhuar komunitetet lokale dhe institucionet financiare dhe duke shërbyer edhe si model për parqet e tjera në Shqipëri.”

Projekti i Butrintit është një shembull i rëndësishëm sesi AADF shërben si katalizator, duke ofruar fonde dhe njohuri për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe shërbimeve të qytetarëve shqiptarë duke maksimizuar transparencën dhe reduktimin e korrupsionit, ndërkohë që prezanton disa nga modelet më të avancuara të menaxhimit dhe ekspertizës në botë”-thuhet në njoftimin për shtyp.

Në hapësirën publike ka pasur zëra të ndryshëm të cilët kanë kundërshtuar formën e zgjedhur nga qeveria për menaxhimin e Parkut.

Madje para disa ditësh mes Ministres së Kulturës Elva Margariti dhe deputetes së PD-së Ina Zhupa pati një përplasje me tone të ashpra në Komisoinin Parlamentar.