Deputetja demokrate, Ina Zhupa ishte një ndër emrat e deputetëve që nuk dihej nëse do i bashkoheshin Kuvendit Kombëtar të PD-së, për shkak të qëndrimit të saj krah Lulzim Bashës gjatë konfliktit të tij me Sali Berishën. Por Zhupa u bashkua duke folur pak për mediet në hyrje të Pallatit të Kongreseve. Ajo tha se po bashkohet që të bëjë çdo gjë që është e mundur për bashkimin e demokratëve.
“Marr pjesë në këtë Kuvend jo për të konsideruar si palë me njërin apo tjetrin. Kam ardhur për të bërë një gjest nga ana ime në drejtim të bashkimit dhe në respekt të demokratëve që ndodhen në këtë Kuvend.
Ky nuk është akti i fundit. Bashkimi është proces dhe ky proces duhet të ndiqet hap pas hapi. Objektivi ynë duhet të jetë që të fitojmë përballë Edi Ramës. Përballë Edi Ramës fitojmë duke qenë të bashkuar.
Mos e merrni si akti i fundit i bërjes me një palë kundër një pale tjetër. Të lëmë pas sedrën dhe të bëjmë një hap drejt bashkimit. Demokratët mund të bashkohen me vullnet. Përderisa e kanë vullnetin le ta shprehin.”- tha deputetja Ina Zhupa.