Vendosni fjalën kyçe....

Jozefina Topalli rikthehet në PD: Sot është dita për të bërë kthesën, prandaj jam këtu


Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli i është bashkuar Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike që po mbahet sot në Pallatin e Kongreseve.

Ajo foli në një prononcim për mediat ku theksoi se vendi ka nevojë për opozitë reale.

“Kurrë më shumë se sot vendi nuk ka pasur nevojë për opozitë reale dhe opozitë të vërtetë. Ne duhet t’u rikthemi vlerave dhe pushtetit moral. Opozita duhej të ishte pushtet moral. Sot është një moment kyç kur PD mund të kthehet te vlerat e saj.

 Nuk është hera e parë që PD është gjendur në vështirësi, por nuk jemi tërhequr, pasi kemi besuar. Edhe pa qenë deputete, pa qenë në PD, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën. E vërteta është forca e çdo njeriu. E vërteta është liria e individit. Jemi në një kohë që duhet të bëjmë beteja të vërteta.

E rëndësishme është që bashkimi të bëhet mbi vlerat. E kur them mbi vlerat, tek njerëzit e thjeshtë.

Tek ata që kërkojnë një opozitë reale, jo një opozitë false. Ky është dëmi më i madh, e përsëris atë që kam thënë prej vitesh, nuk ka dëm më të madh për një vend se ta lësh pa opozitë, ose të kesh një opozitë farsë. Sot është dita për të bërë kthesën dhe prandaj jam sot këtu.”- deklaroi Topalli.