Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni: SHBA po i trajnon trupat ukrainase në Evropë


Personeli ushtarak ukrainas po merr trajnime amerikane në Evropë në mes të konfliktit me Rusinë. Këtë e ka zbuluar sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby.

“Mund të njoftoj se Shtetet e Bashkuara kanë filluar stërvitjen me Forcat e Armatosura të Ukrainës për sistemet kyçe në instalimet ushtarake amerikane në Gjermani.”- tha Kirby gjatë një konference të premten.

Si pjesë e programit, të koordinuar me Berlinin, trupat ukrainase po mësojnë të përdorin artileri, radarë dhe mjete të blinduara.

“Kjo përpjekje e re stërvitore në Gjermani dhe në vende të tjera në Evropë është në mbështetje të drejtpërdrejtë të paketave të fundit të ndihmës për sigurinë të SHBA-së që janë krijuar për të ndihmuar Ukrainën të fitojë betejat e saj sot dhe të ndërtojë forcën për nesër.”– tha zëdhënësi, duke vënë në dukje se SHBA-të kanë angazhuar 4.3 miliardë dollarë për ushtrinë ukrainase që nga viti 2021.

Kirby theksoi se Pentagoni nuk ka plane të dërgojë instruktorët e tij në Ukrainë. “Trajnimi që do të bëjmë do të jetë jashtë vendit.”– tha ai.

Megjithatë ai theksoi se po eksplorohet mundësia e ushtarakëve brenda Ukrainës që të marrin trajnime amerikane “virtualisht”.

Edhe Britania po i ndihmon gjithashtu trupat e Ukrainës për të përmirësuar aftësitë e tyre luftarake, me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson që njoftoi javën e kaluar se “ne aktualisht po trajnojmë ukrainasit në Poloni për përdorimin e mbrojtjes kundërajrore, dhe në fakt në Mbretërinë e Bashkuar në përdorimin e automjete të blinduara.”