Udhëheqësi i partisë daneze të ekstremit të djathtë Stram Kurs (Hard Line) pretendoi se ai dogji një kopje tjetër të Kuranit të Shenjtë të shtunën.
Duke përdorur mediat sociale, Rasmus Paludan njoftoi se ai dogji librin e shenjtë mysliman përpara xhamisë Raslatt në qytetin jugor të Suedisë, Jonkoping, pavarësisht se policia suedeze nuk e lejoi atë.
Policia suedeze hodhi poshtë kërkesën e Paludan-it për leje për një demonstrim për djegien e librit të shenjtë mysliman më 1 maj, që përkon me Ditën Botërore të Punës në të gjithë Suedinë.
Ndërkohë, një grup njerëzish në Malmo protestuan kundër provokimit të Paludanit për djegien e Kuranit të Shenjtë në qytete të ndryshme suedeze gjatë festës së Pashkëve.
Duke iu drejtuar protestuesve, politikani me origjinë turke Mikail Yuksel, i cili themeloi Partinë e Ngjyrave të Ndryshme (Nyans) në Suedi, bëri thirrje për ndalimin e provokimeve të Paludan.
Javën e kaluar, rreth 500 njerëz morën pjesë në protestën e organizuar nga Nyans përpara parlamentit të vendit në kryeqytetin Stokholm.
Protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Ndaloni djegien e Kuranit të Shenjtë” dhe “Ndaloni ofendimin e muslimanëve”.
Më 14 prill, Paludan dogji një kopje të librit të shenjtë mysliman në qytetin jugor të Suedisë, Linkoping. Ai gjithashtu kërcënoi se do të digjte kopje të librit të shenjtë gjatë mitingjeve të mëtejshme.
Në fillim të këtij muaji, Ministria e Jashtme turke e dënoi incidentin dhe e përshkroi atë si një provokim kundër Islamit.
“Në muajin e shenjtë të Ramazanit, ne dënojmë edhe një herë ashpër sulmet dhe provokimet kundër Islamit, muslimanëve, Kuranit dhe objekteve të adhurimit në pjesë të ndryshme të botës”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme turke.