Një tjetër autobus është përfshirë në një aksident mëngjesin e kësaj të hëne në kryeqytet. Bëhet fjalë për autobusin e linjës Qyteti Studenti, i cili është përplasur me stacionin në afërsi të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Për fat të mirë nga ky aksident nuk raportohen të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Siç shihet dhe fotot më poshtë, xhami i parë i autobusit është shkatërruar në anën e djathtë ndërsa copat e thërrmuara shihen dhe përtokë në pjesën e stacionit ku është përplasur autobusi.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit nuk dihen ende.
“Më datë 02.05.2022, rreth orës 13:00, në bulevardin ‘Zogu I’, shtetasi D. Sh., duke drejtuar autobusin e linjës së Qyteti Studenti, dyshohet se është përplasur me mbulesën e vendqëndrimit të stacionit të autobusit.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, një tjetër autobus i linjës së Unazës përfundoi në lumin e Lanës, pas përplasjes me një automjet. Ndërsa thuhet se autobusi do mbetet në Lanë si instalacion për të kujtuar qytetarët për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.