Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill thotë që Serbia duhet t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë dhe është pikërisht kjo ajo që SHBA dhe BE pret nga ky vend.
Por thekson se është Beogradi ai që duhet të vendosë dhe nuk ka trysni mbi të për këtë çështje.
“Më duhet të them se ka pasur një keqkuptim në lidhje me raportin (mbi vizitën në rajon) të shkruar nga Senatori (Chris) Murphy dhe njerëzit disi e kuptuan se ato 60 ditë, që kishin të bënin me një çështje ekonomike, kishin të bënin me sanksionet – gjë që nuk është e vërtetë. Unë isha atje dhe nuk bëhej fjalë për sanksione. Por, Shtetet e Bashkuara po i thonë Serbisë se nuk është çështja nëse do të shkoni në Lindje apo Perëndim, por ka vetëm një drejtim dhe i takon Serbisë për të vendosur sa shpejt dëshiron të arrijë atje… Rusia vështirë se mund të jetë një model tani, nuk është një vend që do të dëshironit ta kishit mik apo aleat. Dhe mendoj se po bëhet gjithnjë e më e qartë se çfarë duhet të bëjnë vendet. Më në fund, u takon vendeve të vendosin dhe askush nuk po i bën trysni askujt, njerëzit në Serbi duhet të vendosin se në cilin drejtim duan të shkojnë.” – tha ambasadori Hill në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës.
Më tej, i pyetur pritshmëritë që SHBA ka ndaj qeverisë së re të Serbisë, Hill u shpreh se nuk e kupton se si dikush mund të jetë mbështetës i Rusisë ose të flasë në favor të Rusisë. Por shpreson që qeveria e re me në krye Vuçiçin përsëri do të marrë një drejtim të caktuar.
“Do të doja të shihja se çfarë qeverie do të jetë. Neve në Amerikë na duhen disa muaj për të formuar një qeveri. Unë jam i sapoardhur këtu dhe jam gati për detyrën time, të punoj me qeverinë e re të Serbisë dhe të shoh se nga po shkon ajo. Nëse do të isha qytetar i këtij vendi, gjë që nuk jam, do të isha shumë kureshtar të shihja se në ç’drejtim do të shkojë. Një gjë shumë e rëndësishme ndodhi më 24 shkurt, kur Rusia nisi një agresion ndaj vendit fqinj. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se si dikush mund të jetë mbështetës i Rusisë ose të flasë në favor të Rusisë. Shpresoj që qeveria e re do të marrë një drejtim të caktuar, por është në dorën e atyre që do të formojnë qeverinë. Mezi pres të shoh si do të jetë.”- u shpreh ai.
Mes të tjerash ambasadori Hill tha se Serbia “duhet ta mendojë sërish”, nëse beson se Rusia do ta ndihmojë rreth çështjes së Kosovës.