Rrjedhja pak muaj më parë në publik e bazës së të dhënave të pagave dhe targave të automjeteve të gjithë shtetasve në vend bëri jo pak zhurmë në opinionin publik.
Kjo vinte vetëm pak kohë pas një tjetër skandali siç ishte ajo e të dhënave që mbaheshin nga patronazhistët për bindjet politike të qytetarëve duke shtuar edhe shënime nga më të ndryshmet dhe detaje personale.
Më herët gjatë vitit 2021 Komsioneri publikoi raportin për hetimin administrativ mbi databazën që lidhej me partonazhistët. Ky raport dilte në përfundimin se përgjigjet e AKSHI-t ishin jo shteruese, Tatimet kishin treguar mungesë bashkëpunimi dhe se Partia Socialiste ishte përpunuese por jo krijuese.
Të ndodhura në seri duket se zhurma për këto ngjarje zgjati pak por tashmë Kuvendi ka kërkuar që tani edhe për listën e pagave dhe atë të tagave nga ana e Komisionerit për të Drejtën e Informim të përmbyllet hetimi për të pasur një panoramë më të qartë të asaj që ndodhi.
Në pikën e parë të rezolutës që Kuvendi ka miratuar për detyra e zyrës së Komisionerit për këtë vit në vend të parë qëndron pikërisht ajo për hetimin mbi listpagesat e pagave dhe targat.
“Të përmbyllë hetimin administrativ, mbi publikimin e databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat si dhe databazës me të dhënat e targave të automjeteve, brenda vitit 2022” thuhet në dokument.
Ndërkohë është kërkuar gjithashtu që zyra të vijojë monitorimin dhe mbikëqyrjen proaktive të autoriteteve publike për verifikimin e përditësimit të Programit të Transparencës dhe të Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në veprimtarinë e tyre.
Po kështu të mbështesë autoritetet publike në qartësimin e çështjeve mbi interesin publik dhe rastet e kufizimit të dhënies së informacionit, si dhe të nxisë forcimin e rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit.
Një tjetër pikë është ajo për monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale me fokus masat tekniko-organizative për përpunimin e sigurt të tyre, veçanërisht, Sistemet e Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit (SMSI), duke u shtrirë edhe në sektorë të tjerë si ai i sigurimeve, financiar jobankar, marketing i drejtpërdrejtë./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor