Vendosni fjalën kyçe....

“Edhe Hitleri ishte hebre”- Komentet e Lavrovit priten me zemërim në Izrael



Izraeli ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Jashtëm rus se lideri nazist Adolf Hitler “kishte gjak hebre”.

Sergei Lavrov i bëri komentet në përpjekje për të justifikuar portretizimin e Ukrainës nga Rusia si “naziste” pavarësisht faktit se presidenti i saj Volodymyr Zelensky është hebre.

Siç shkruan BBC, ministria e Jashtme e Izraelit thirri ambasadorin rus për “sqarim” dhe kërkoi falje.

Lavrov i bëri komentet në një intervistë në programin televiziv italian Zona Bianca të dielën, disa ditë pasi Izraeli shënoi Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.

I pyetur se si Rusia mund të pretendojë se po lufton për të “de-nazifizuar” Ukrainën kur presidenti Volodymyr Zelensky është vetë hebre, Lavrov tha: “Unë mund të jem gabim, por Hitleri kishte gjithashtu gjak hebre. Që Zelensky është hebre nuk do të thotë absolutisht asgjë. Njerëzit e mençur hebrenj thonë se antisemitët më të zjarrtë janë zakonisht hebrenj.”

Deklarata e ministrit rus u prit me zemërim në të gjithë spektrin politik të Izraelit.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett tha: “Gënjeshtra të tilla kanë për qëllim të fajësojnë vetë hebrenjtë për krimet më të tmerrshme në histori dhe kështu të çlirojnë shtypësit e hebrenjve nga përgjegjësia e tyre. Asnjë luftë sot nuk është Holokausti apo si Holokausti.”

Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid reagoi gjithashtu me zemërim, duke i quajtur fjalët e zotit Lavrov të pafalshme.

“Vërejtjet e ministrit të Jashtëm Lavrov janë një deklaratë e pafalshme dhe skandaloze, si dhe një gabim i tmerrshëm historik. Hebrenjtë nuk vranë veten në Holokaust. Niveli më i ulët i racizmit kundër hebrenjve është të akuzosh vetë hebrenjtë për antisemitizëm.”– shkroi ai.